Stoltenberg: Së shpejti do të vizitoj Turqinë për t’u takuar me presidentin Erdoğan

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, vuri në dukje se është i kënaqur nga bashkëpunimi mes Turqisë dhe Suedisë, dhe njoftoi se në të ardhmen e afërt do të vizitojë Turqinë për t’u takuar me presidentin Recep Tayyip Erdoğan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Stoltenberg foli në një konferencë për shtyp pas takimit që zhvilloi në selinë e NATO-s me kryeministrin e Rumanisë, Nicolae Ciuca.

Pas një pyetjeje, Stoltenberg tha se nuk mund të bëjë spekulime lidhur me çështjen se sa mund të zgjasë lufta në Ukrainë dhe tha se “Ne jemi të gatshëm të mbështesim Ukrainën, pavarësisht se sa zgjat”.

“Ne e dimë se ajo që mund të arrijë Ukraina në tryezën e negociatave varet plotësisht nga fuqia në fushën e betejës. Për këtë arsye duhet të forcojmë dorën e tyre në tryezën e negociatave duke siguruar mbështetje ushtarake dhe kjo është pikërisht ajo që aleatët e NATO-s po bëjnë”, deklaroi Stoltenberg.

Ndërkaq, ndaj një pyetjeje lidhur me anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës, Stoltenberg tha: “Mirëpres punën e përbashkët të Suedisë dhe Türkiye-s për zbatimin e memorandumit të përbashkët”.

Duke rikujtuar se kryeministri suedez Ulf Kristersson do të takohet me presidentin Erdoğan, sekretari Stoltenberg deklaroi se “Së shpejti edhe unë do të vizitoj Turqinë për t’u takuar me presidentin Erdoğan”.

Stoltenberg vuri në dukje se ka besim që anëtarësimet e Suedisë dhe Finlandës do të miratohen në parlamentet e 30 vendeve anëtare.