Stresi i punës është i dëmshëm, veçanërisht për burrat që më parë kanë qenë në spital për diabet, sulm në zemër apo goditje në tru, sipas një studimi ndërkombëtar.
Burrat me një histori të sëmundjes kronike fizike kishin dy herë më shumë gjasa të vdisnin nga komplikimet që vinin nga nivelet e larta të stresit sesa burrat me të njëjtën histori, por pa stres.
Studimi përfshiu Finlandën, Francën, Suedinë dhe Britaninë e Madhe dhe anketoi më shumë se 100 mijë njerëz.
Fillimisht të anketuarit iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me stilin e tyre të jetesës, punën dhe shëndetin e tyre.
“Shkaqet specifike të vdekjes nuk ishin fokusi i studimit, por kishte një rritje të qartë të vdekshmërisë të lidhur me sëmundjet kardiovaskulare”, thotë udhëheqësi finlandez i studimit, profesori i epidemiologjisë Mika Kivimäki nga Universiteti i Helsinkit dhe Instituti Finlandez i Shëndetit në Punë.
Studimi përcaktoi stresin e punës si një situatë pune që e ngarkon punonjësin duke kufizuar mundësitë e tyre për të ndryshuar rrethanat e tyre.