Strukturat paralele dhe shërbimi sekret serb, bëjnë veriun e rrezikshëm për t’u vizituar

Çështja e situatës së sigurisë në veri të vendit është riaktualizuar përsëri kohëve të fundit.

Para disa ditësh, në veri të Mitrovicës qëndroi edhe ambasadori amerikan, Philip Kosnett, shkruan lajmi.net.

Nga kjo vizitë do të merrte shkas admirali i Forcave të Përbashkëta në Napoli, James Foggo, i cili tha se po të ishte rrezik, Kosnett nuk do të shkonte fare në atë pjesë.

Kështu nuk po mendon Ambasada e Britanisë. Ajo përmes një njoftimi gjatë ditës së djeshme u bëri thirrje qytetarëve të saj të shmangin vizitat në veri, për shkak të rrezikut të eskalimit të situatës.

Institucioni përgjegjës për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në vend, Policia e Kosovës, po vlerëson se në veri nuk ka rrezik për eskalim të situatës.

Zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së veriut, Besim Hoti, për lajmi.net thotë se situata aktuale në atë pjesë është e qetë dhe nuk ka diçka që do ta tërhiqte vëmendjen.Ai shton se nga informacionet që kanë, nuk ka indikacione për incidente të mundshme në atë pjesë.

Megjithatë, ai shton se policia nuk i komenton konstatimet politike.

“Policia nuk i komenton konstatimet politike. Megjithatë kur flasim për vlerësime të karakterit ditor, situata është e qetë dhe nuk ka diçka që do ta kishte tërhequr vëmendjen. Kur flasim për situatën momentale, ajo është e qetë dhe nuk ka ndonjë indikacion për diçka të jashtëzakonshme”, thotë Hoti.

Kërkohet shtimi i policëve shqiptarë në pjesën verioreVeriu i Mitrovicës i banuar me shumicë serbe, nuk u ofron siguri qytetarëve shqiptarë.Kështu po vlerëson asamblisti i kësaj komune, Bashkim Cimili.Duke folur për lajmi.net, ai thotë se shqiptarët, përveç në lagjet që janë me shumicë shqiptare, në qendër të qytetit nuk lëvizin lirshëm në frikë të incidenteve të mundshme.

“Situata e sigurisë në veri nuk është stabile. Kur flasim për lëvizjen e qytetarëve, shqiptarët lëvizin lirshëm vetëm në pjesën e lagjeve të cilat janë të banuara me shumicë shqiptare, teksa në pjesën tjetër është shumë më e kufizuar”, thotë ai.

Sipas tij, është jetike që të shtohet numri i policëve shqiptar të cilët janë prezent në qytetin e veriut të Mitrovicës.Shërbimi sekret operon ende në veriMegjithë konstatimin e Policisë së Kosovës, ekspertë të sigurisë thonë se në veri përveç strukturave paralele, funksionon edhe shërbimi sekret serb.Ramadan Qehaja, njohës i çështjeve të sigurisë, thotë për lajmi.net se aktualisht situata në veri është mjaftë e brishtë.

Ai thotë se në veri funksionojnë me të madhe strukturat paralele, për të cilat deklaron se politikanët nuk po tregohen të sinqertë.“Kujtoj se situata në veri të vendin tonë është mjaftë e brishtë në aspektin e sigurisë dhe se ajo përveç që vepron Policia e Kosovës e përbërë nga serbët lokal, atje veprojnë edhe strukturat paralele. E që disa politikanë po thonë se janë shuar, e që unë mendoj që ato nuk janë shuar edhe veprojnë ende” , thotë Qehaja.Madje ai thotë se qëllimi i këtyre strukturave paralele, është shkëputja e asaj pjese të territorit, dhe bashkëngjitjen e saj me Serbinë.

“Së dyti, atje është më së keqi që vepron shërbimi sekret serb me njerëzit e vetë dhe kanë për qëllim të bëjnë destabilizimin e asaj pjese të territorit, që ajo pjesë në konsekuencën e fundit siç mendojnë ata t’i takojë Serbisë përkatësisht që ta shkëpusin atë pjesë të territorit me metoda më të buta se ato luftarake”, ka thënë Qehaja.Qehaja në fund thotë se reagimi i ambasadës së Britanisë ka qenë me vend, dhe se në veri ka rrezik të shënimit të incidenteve ndëretnike.

“Këtë që e ka thënë ambasada britanike ashtu edhe është, sepse nuk e di se kush ka shku atje ose ka vepru por faktikisht situata nuk është mirë sepse ka të drejtë që qytetarët britanik të jenë të kujdesshëm sepse mund të ndodhin gjëra që janë të rrezikshme, si rrahje, plagosje, fyerje e të tjera”, thotë Qehaja.

Vlen të theksohet se që nga arrestimi në veri i drejtorit të të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq në atë pjesë nuk është shënuar ndonjë incident i kësaj natyre.Teksa situata më kulminante ishte më 17 mars 2004, filluan protestat që më vonë do të përmenden si “Trazirat e marsit”.

Ato zgjatën dy ditë, e gjatë tyre u vranë 19 civilë, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, ndërsa u lënduan mbi 900 persona, kryesisht shqiptarë.

Trazirat shpërthyen pas njoftimeve se në lumin Ibër ishin mbytur dy fëmijë shqiptarë si pasojë e dhunës së serbëve, ndërsa shkaku i kësaj tragjedie asnjëherë nuk u sqarua plotësisht.