Studentë të Universitetit të Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar kanë ngritur një kamp proteste në ambientet e universitetit, duke kërkuar ndërprerjen e çdo lidhjeje financiare me kompani izraelite dhe ato që furnizojnë ose mbështesin ushtrinë izraelite.
Protesta nisi të hënën pranë “Pemës së Njutonit” në Kolegjin Trinity – pemës që thuhet se frymëzoi teorinë e gravitetit të Isak Njutonit. Në vend që të angazhoheshin me kërkesat e studentëve, autoritetet e kolegjit ngritën barriera druri dhe mbuluan zonën me tenda plastike për të fshehur kampin nga publiku, duke urdhëruar largimin e protestuesve. Si kundërpërgjigje, studentët zhvendosën kampin në ambientet e Kolegjit St. John’s.
Shumë prej tyre mbulojnë fytyrat për të mbrojtur privatësinë dhe sigurinë e tyre. Në një prononcim për agjencinë Anadolu, një prej protestuesve, që u identifikua si Hancock Davies, deklaroi se universiteti ka miliona paund të investuara në kompaninë izraelite të armëve Elbit Systems.
“Kolegji Trinity urdhëroi largimin tonë sepse nuk kupton kërkesat tona. Reagimi i vetëm i tyre është shtypja. Refuzojnë të marrin përgjegjësi për burimet nga të cilat përfitojnë,” tha Davies.
Ai theksoi se studentët janë në solidaritet të plotë me popullin palestinez, duke kërkuar që Kembrixhi të ndërpresë çdo lidhje me kompani të përfshira në atë që ai e përshkroi si “gjenocid”.
“Njerëzit këtu nuk duan të jetojnë pranë institucioneve që përfitojnë nga masakra jashtë vendit,” shtoi ai.
Një tjetër protestues, që u prezantua si Carl, bëri thirrje që të gjitha kolegjet e Kembrixhit të ndjekin shembullin e Kolegjit King’s, i cili ka nisur rishikimin e partneriteteve të tij financiare në përgjigje të kërkesave studentore.
Carl theksoi gjithashtu se protestuesit kërkojnë bursa për studentët palestinezë si dhe mbështetje për rindërtimin e sistemit arsimor në Gazë, i cili është shkatërruar nga sulmet izraelite.
“Kembrixhi është një nga institucionet më të pasura dhe me ndikim në Britani. Ka mundësinë dhe përgjegjësinë të ndihmojë studentët dhe studiuesit nga Gaza,” tha ai.
“Por duke vazhduar bashkëpunimin me forca pushtuese, dërgon mesazhin se gjenocidi është i pranueshëm.” /mesazhi





