Suksesi dhe Gabimi!?

Vehbi Zeqiri

Gabim…, do të thotë që ju me të vërtetë jeni duke bërë diçka!

Ju lumtë, vetëm vazhdoni duke bërë ‘gabime’ dhe avancim në jetën tuaj. Me rëndësi është vetëm mos të ktheheni te ato gabime, apo ta bëni të njëjtin dy herë! Vetëm ata të cilët janë plotësisht pasiv nuk bëjnë gabime, apo mbase gabimi më i madh i tyre është që nuk janë fare aktiv!?

Gabimet janë njerëzore dhe nuk duhet askush të ketë ndjenjë inferioriteti për shkak të gabimit.

Në familje dhe në shkollë, na kanë mësuar se të bësh gabime është një gjë shumë e keqe dhe e shëmtuar!? Kjo qasje e gabuar, shumë prej nesh na ka stepur prapa dhe hezitojmë të ecim para prej frikës së gabimit apo dështimit!?

Të gjithë gabojnë, madje edhe ata më gjenial!

A e keni ditur që Thomas Edison ka afër një mijë eksperimente të dështuara, por në fund ka arritur ta shpikë poçin elektrik me të cilin ka ndryshuar botën?

Gjithashtu, disa kompani inovative  dhe me kreativitet të lartë, punonjësit e tyre i paguajnë për gabimet apo dështimet e tyre në eksperimente apo ide. Si rezultat, këto kompaninë kanë arritur të dalin në treg me zbulime aq inovative, sa që askujt nuk i ka shkuar as mendja për diçka të tillë më herët.

Cila është urtësia në këtë ‘mesele’?

Të gjitha mësimet e dala prej gabimeve dhe dështimeve të njerëzve janë të gdhendura në gurë për t’u ruajtur përjetësisht. Asnjë leksion nuk është më i vlefshëm se sa mësimi apo përvoja prej gabimeve tona apo edhe të tjerëve.

Nuk mund të ecim para pa bërë gabime. Në fakt asnjë njeri i suksesshëm nuk ka arritur atje, pa gabime dhe dështime. Çështja kryesore që i pengon shumë njerëz të përmirësohen dhe ecin tutje, qëndron në mospranimin e gabimit apo mundësisë së gabimit?

Pranimi i gabimit, hapi i parë drejt përmirësimit!

Mbase, gabim i sigurt do të ishte nëse qëndrojmë në atë gabim dhe nuk e pranojmë si të tillë!

Gabimi edhe më i madh do të ishte, nëse mendojmë për veten tonë se jemi të pagabueshëm!?

Gabimet të cilat duhet medoemos të evitohen:

  • Të bërit gabim qëllimisht apo me tendencë të ndonjë përfitimi jo të drejtë,
  • Gabimi i përsëritur, prej të cilit nuk kemi marrë mësimin e duhur apo as që jemi munduar të marrim mësim,
  • Mos pranimi i gabimit apo mundësisë së gabimit,
  • Thyerja e parimeve morale dhe etike të shoqërisë sonë,
  • Fajësimi i të tjerëve për gabimet tona, etj.

Kur ne përdorim gjithë potencialin tonë mendorë dhe intelektual si dhe përvojën që kemi, për marrjen e vendimeve apo ndonjë veprimi, atëherë shumë vështirë e pranojmë gabimin. Mangësitë në potencialin tonë intelektual dhe mendorë, për të cilat mangësi nuk jemi të vetëdijshëm, na bëjnë që mos ta kuptojmë që jemi duke gabuar.

Prandaj ndihma dhe përkrahja prej të tjerëve është e domosdoshme për të gjithë.

Mos hezitoni…, secili njeri në botë ka nevojë për Mentor, Këshilltarë, Udhërrëfyes, etj.

Gaboni dhe dështoni…, ngrihuni përsëri dhe vazhdoni tutje, deri në arritjen e qëllimeve tuaja të larta.

Bota po ju pret!

Vehbi Zeqiri

Ekspert i Lidershipit dhe Inteligjencës Emocionale

……………………….

*Ky shkrim i dedikohet bashkëshortes time për sakrificën e saj në mbarëvajtjen e familjes tonë për më shumë se tridhjetë vite