Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara për Minnesotën, Ilhan Omar, u sulmua gjatë një takimi publik në Minneapolis, kur një burrë e spërkati me një substancë të panjohur ndërsa ajo po mbante fjalim.
Sipas autoriteteve, Omar nuk u lëndua. Sulmuesi, identiteti i të cilit nuk u bë publik, u arrestua dhe u akuzua për sulm të shkallës së tretë. Autoritetet nuk dhanë detaje mbi lëngun që u përdor në sulm.
Ngjarja ndodhi teksa Omar po bënte thirrje për shfuqizimin e Agjencisë së Imigracionit dhe Doganave (ICE) dhe për dorëheqjen ose shkarkimin e sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem. Pamjet e incidentit tregojnë një burrë që i afrohet podiumit dhe e spërkat Omarin me një shiringë që përmbante një lëng me ngjyrë të errët, duke bërtitur: “Duhet të japësh dorëheqjen”.
Ai u neutralizua menjëherë nga sigurimi, ndërsa publiku reagoi i tronditur. Disa pjesëmarrës thanë se substanca kishte erë të rëndë dhe kërkuan që Omar të kontrollohej nga mjekët. Ajo u shpreh se ishte mirë dhe u rikthye në podium për të vazhduar fjalimin.
“Ne jemi të fortë si Minnesota dhe do të mbetemi të qëndrueshëm përballë çdo gjëje që mund të na hedhin,” tha Omar para mbështetësve të saj.
Pas ngjarjes, Omar shkroi se ishte mirë dhe se sulmi nuk do ta ndalonte nga puna e saj, duke falënderuar qytetarët për mbështetjen.
Sulmi u dënua gjerësisht nga figura politike. Kryetari i bashkisë së Minneapolisit, Jacob Frey, e quajti të papranueshëm çdo akt dhune apo intimidimi, ndërsa përfaqësuesja republikane Nancy Mace theksoi se, pavarësisht mospajtimeve politike, asnjë zyrtar i zgjedhur nuk duhet të përballet me sulme fizike.
Ilhan Omar, amerikano-somaleze dhe ish-refugjate, ka qenë shpesh objekt kritikash nga konservatorët amerikanë për qëndrimet e saj progresive, përfshirë kundërshtimin e luftës izraelite në Gaza dhe politikat e ashpra ndaj emigrantëve. Ajo është gjithashtu kundërshtare e operacioneve të fundit të ICE në Minneapolis.
Omar u zgjodh për herë të parë në Kongres në vitin 2018, duke u bërë një nga dy gratë e para muslimane në Kongresin amerikan. Ajo u rizgjodh për mandatin e tretë në vitin 2024 dhe aktualisht është nënkryetare e Grupit Progresiv në Dhomën e Përfaqësuesve. /mesazhi





