Sulme ndaj policëve në veri me gurë, iriqë metalikë, granata dore e AK-47, por “Kosova nuk i frikësohet skenarëve serbë”

Pavarësisht mbylljes së shumë rrugëve ilegale të cilat ndër vite përdoreshin nga serbët në veri të Kosovës, situata atje nuk është e qetë.

Madje siç duket ishin pikërisht këto veprime të marra nga institucionet e Kosovës për të mbyllur këto rrugë që çuan deri tek zhvillimi i ngjarjeve të fundit, saktësisht sulmeve në drejtim të zyrtarëve policorë.

Pas katër sulmeve radhazi, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, dolën sot në konferencë për media ku edhe u dhanë detajet shtesë lidhur me këto raste.

Ndër të tjerash ministri Sveçla këto sulme i cilësoi si sulme terroriste.

Sveçla deklaroi se sot rreth orës 08:00 ishte një sulm i drejtpërdrejtë ndaj tyre, ku ndaj policëve persona të dyshimtë kanë hedhur granata dore dhe kanë shtënë me armë zjarri të tipit, AK-47.

“Grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në zonën veriore të vendit. Një sulm i parë ka ndodhur apo tentim-sulm duke vendosur iriqë metalikë në rrugën nacionale Mitrovicë-Zubin Potok, në kohën përafërsisht të njëjtë me sulmin e sotëm. Me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës, e të rrezikojnë jetën e zyrtarëve policorë.”, tha Sveçla.

Ai njashtu theksoi se në sulmin e ndodhur sot zyrtarët policorë u shpëtuan falë xhamit të blinduar të automjetit në të cilin gjendeshin ata, pasi po bënin ndërrimin e rregullt të cilin e bëjnë vazhdimisht.

“Sulmi i tretë tashmë është publik.Ka ndodhur mbrëmë në afërsi të pikës kufitare të policisë që bën sigurimin e pengesave të rrugëve ilegale. Është gjuajtur me armë zjarri. Dhe sot siç thash drejtpërdrejtë janë goditur dy veturat të cilat transportonin zyrtarët policorë për në pikat kufitare.Ky ishte ndërrim i rregullt që ndodh në ora 08:00, dhe dy nga këto sulme kanë ndodhur në atë kohë.Tashmë po shihet që angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, por posaçërisht i Policisë së Kosovës që të vendos rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës është bërë pengesë për Serbinë, për grupet e caktuara të cilat mbështeten drejtpërdrejtë nga Serbia dhe realisht u prish planet të gjithë atyre të cilët Kosovën e kanë parë si çerdhe të krimeve të tyre.”, theksoi ai.

E pas kësaj, drejtori i PK-së, Mehmeti tha se që nga data 13.04.2022, deri më sot kanë qenë vazhdimisht katër sulme të organizuara në territorin e Kosovës, në një territor ku të gjitha sulmet janë ndërlidhur me njëra-tjetrën.

“Vendet ku janë bërë sulmet janë të ndërlidhura njëra me tjetrën dhe natyrisht kjo na bën me dije se kemi të bëjmë me një grup të organizuar që ka për qëllim të sulmoj dhe të pengojë punën e PK-së, me theks të veçantë të pengojë aksionet tona që kanë të bëjnë me luftën kundër kontrabandë dhe tregtive ilegale që zhvillohen në këtë pjesë të veriut të Kosovës.Me datën 13 prill rreth orës 07:30, në magjistralen Mitrovicë-Zubin Potok më saktësisht patrulla e policisë ka hasur në rrugë, në iriqë gjembor metalik të salduara të cilat shërbeje për të dëmtuar gomat e automjeteve. Ishin vendosur 46 iriq të cilat ishin vendosur për të mundësuar pengimin dhe prishjen e gomave të automjeteve. Ministri iu tregoj disa nga to kjo ka qenë ndarja e iriqëve që të mos kalojë asnjë veturë. Në ora 08:00 bëhet ndërrimi i patrullave tona që funksionojnë atje. Sulmi tjetër ka ndodhur në orën 21:45 në të njëjtën ditë, përkatësisht njësia policore e kufirit derisa ishte duke u kthyer nga përfundimi i ndërrimit, në fshatin Davidovc në afërsi të pikës kufitare në Bërnjak, është sulmuar me gurë automjeti i patrullës policore. Është dëmtuar automjeti, por s’ka pasur të lënduar”, theksoi drejtori Mehmeti.

E në sulmin e ndodhur mbrëmë, drejtori Mehmeti, tha se janë shfrytëzuar diku rreth 30 fishekë, që dyshohet se të shtënat erdhën nga territori i Serbisë.

“Ndërsa sulmi i tretë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Bube, saktësisht në vendin që quhet Pragovë, rreth 20:45 minuta janë dëgjuar katër apo pesë refallë të shkurtër, diku rreth 30 fishekë që dyshohet se të shtënat erdhën nga territori i Serbisë.Nuk raportohet për të lënduar, pro vetëm dëme materiale. Gjuajtjet kanë ndodhur në afërsi të fshatit Bube, ku para disa kohësh është bërë mbyllja e rrugës ilegale e cila është përdorur për një kohë të gjatë, për trafikim, për kontrabandim me mallra dhe aktivitete të tjera kriminale.Ndërsa sot në mëngjes, rreth orës 07:40, janë sulmuar drejtpërdrejtë patrullat e policisë kufitare . Sulmi është kryer me granatë dore dhe me armë zjarri e cila dyshohet të jetë e tipit AK-47.Dy vetura te policisë janë dëmtuar falë gjindshmërisë së policëve dhe automjeteve të blinduara, fatmirësisht nuk kemi të lënduar. Në vend ngjarje deri më tani janë gjetur gëzhoja të kalibrit 6.62 milimetra dhe pjesë të granatës së dorës.”,deklaroi ai.
Ai theksoi se granata e përdorur në këtë rast është granatë ushtarake, por që do të mund të kenë edhe prova të tjera materiale pasi ekipet policore po vazhdojnë të bëjnë këqyrjen e vendit të ngjarjes.

E ministri Sveçla, nuk la pa u përgjigjur edhe në pyetjen nëse këto sulme kanë të bëjnë apo lidhen me furnizimin e fundit me armë të Serbisë nga Kina.

Me këtë rast Sveçla tha se Serbia vazhdon të jetë vendi i vetëm që nuk ka zbatuar sanksione ndaj Rusisë, por çfarëdo skenari që të ketë Serbia, Kosova nuk frikësohet.

“Është tashmë e qartë se Serbia po vazhdon me avazin e vjetër, që të armatoset herë nga Rusia herë nga Kina. Serbia është vendi i vetëm në Evropë, jo vetëm në BE, por si kontinent, Serbia është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka zbatuar sanksione ndaj Rusisë për shkak të invazionit rus në Ukrainë, e posaçërisht tash pas daljes së krimeve monstruoze në Ukrainë. Ne si institucione të Kosovës në vazhdimësi kemi bërë ngritjen e kapaciteteve tona, së pari në aspektin politik, jemi duke forcuar marrëdhëniet me shtetet mike, e demokratike, por edhe në aspektin e kapaciteteve operacionale të institucioneve të sigurisë , të të gjithave. Ne nuk i frikësohemi çfarëdo skenari të Serbisë, jemi të gatshëm të përballemi me çfarëdo skenari, posaçërisht kur kemi parasysh përkrahjen e pa rezervë që marrim nga vendet mike. Unë mendoj se qëllimi i Serbisë nuk është në këtë moment të sulmoj Kosovën, por të destabilizoj Kosovën dhe po iu them se situata në përgjithësi është stabile fal institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe sjelljes pro-ligjit të shumicës absolute të qytetarëve të Kosovës. Grupet e caktuara të mbështetura nga kushdo, nuk do të mund të rrezikojnë sigurinë e vendit tonë. Tashmë këtë e kemi dëshmuar, e do të vazhdojmë të dëshmojmë për çdo ditë, unë kam besim të plotë jo vetëm në vullnetin por edhe në kapacitetet e Policisë së Kosovës, që të kujdeset për rendin publik në të gjitha komunat, lagjet e rrugët e Kosovës. Jam i bindur se kështu do të vazhdojë.”,shtoi ai

Kurse i pari i Policisë së Kosovës tha se të gjithë zyrtarët policorë të Kosovës, janë policë mbi të gjitha.

Duke mos dashur të saktësojë nacionalitetet e zyrtarëve policorë të cilët ishin në rast ai theksoi se ata funksionojnë njësoj sepse janë në kuadër të Policisë së Kosovës.

Por në fund, Mehmeti theksoi se në sulmin e fundit zyrtarët policorë që ishin të pranishëm ishin shqiptarë, por edhe serbë.

“Të gjitha patrullat e tona janë të përbëra nga nacionalitete të ndryshme. Në automjet ka patur edhe serb edhe shqiptarë në sulmin e sotëm.

I njëjti gjithashtu deklaroi se për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, janë njoftuar edhe autoritetet e huaja e më saktësisht KFOR-i.

Ai tha se me KFOR-in kanë komunikim të vazhdueshëm, e që për rastet e fundit janë shkëmbyer edhe detaje.

“Fillimisht duhet të themi se ne kemi komunikim të përditshëm me partnerët tanë ndërkombëtarë, qoftë KFOR-i apo institucionet e tjera, qoftë ato të caktuara e kolegët tanë që punojnë diku tjetër poqë merren me siguri.Sa i përket rasteve konkrete kemi patur komunikim dhe kemi komunikim, por ne shërbejmë edhe informacione të tjera që ndërlidhen me çështjet e sigurisë.”, theksoi i pari i Policisë së Kosovës.

“Qoftë ato rajonale apo të ndërlidhura me Kosovën, edhe në lidhje me këtë çështje bashkëpunimi është në nivel . Kemi marrë informacione nga partnerët ndërkombëtarë, e që mund të ndërlidhen edhe me këto sulme. Por natyrisht se me KFOR-in kemi bashkëpunim dhe komunikim ditor. Është teren shumë rural, pra s’mun të dihet nga sa metra kanë qenë gjuajtjet, por në bazë të deklaratave nga zyrtarët policorë dyshohet të jetë diku nga 200-300 metra larg tyre. Dyshohet se ka ardhur nga territori i Serbisë, për shkak se ata kanë qenë në rrugën ilegale që kemi bllokuar para disa kohëve.”, shtoi ai.

Në katër sulmet drejtuar Policisë së Kosovës u padorën plumba, granata dore, iriqë metalikë, e gurë të ndryshëm, por pavarësisht kësaj, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin që ka në kuadër të mbajtjes së rendit dhe ligjit në çdo pjesë të vendit.

Duhet theksuar se Policia e Kosovës në veri shpesh herë ka qenë cak i sulmeve nga grupe të ndryshme të cilat jetojnë dhe funksionojnë në pjesën veriore të Kosovës.

Siç duket, prishja e rrugëve të funksionimit ilegal nga veriu për në Serbi,i ka prishur punë edhe këtë herë këtyre të fundit.