Sulmi terrorist në Pakistan, shkon në 88 numri i viktimave, pritet të rritet sërish

Ndërkohë, numri i të zhdukurve nuk është përcaktuar ende. Punonjësit vijojnë të kërkojnë në rrënojat e xhamisë që u shkatërrua një ditë më parë.

Numri i të vdekurve nga sulmi terrorist në një xhami në Pakistanin veriperëndimor ka shkuar në 88 dhe pritet të rritet akoma më shumë. Mohammad Asim Khan, zëdhënës nga Spitali Lady Reading në qytetin e Peshawarit, konfirmoi numrin e viktimave dhe tha se rreth 50 të plagosur po trajtoheshin nga mjekët.

Ndërkohë, numri i të zhdukurve nuk është përcaktuar ende. Punonjësit vijojnë të kërkojnë në rrënojat e xhamisë që u shkatërrua një ditë më parë.

Një zyrtar i lartë i policisë tha se kishte frikë se numri i të vdekurve do të rritej pasi ka ende besimtarë të pagjetur dhe trupa të paidentifikuar. Një tjetër zyrtar i lartë i sigurisë, Zëvendës Komisioneri Shafiullah Khan, tha se dy të mbijetuar u gjetën në rrënoja.

“Jam këtu në vendin e shpërthimit dhe po mbikëqyr operacionin e kërkim-shpëtimit. Rrënojat po hiqen dhe ne sapo nxorrëm dy të mbijetuar”, tha Khan për televizionin shtetëror pakistanez.

Kryeministri Shahbaz Sharif ka dënuar sulmin në xhaminë në Peshawar. Ish-kryeministri Imran Khan, udhëheqësi kryesor i opozitës në Pakistan, denoncoi gjithashtu shpërthimin, duke e quajtur atë një “sulm vetëvrasës terrorist”. Xhamia frekuentohej nga zyrtarë të sigurisë dhe të qeverisë. Askush nuk mori menjëherë përgjegjësinë për shpërthimin vdekjeprurës.

Provinca pakistaneze kufizohet me Afganistanin dhe ka përjetuar sulme të përsëritura terroriste në muajt e fundit. Përgjegjësinë për shumicën e sulmeve në të kaluarën e ka marrë organizata e paligjshme “Tehrik-i-Taliban Pakistani”, e njohur si Talebanët e Pakistanit. Por këtë herë, organizata pretendon se nuk është përgjegjëse për sulmin vdekjeprurës. /dosja