Sulmohet me mjet shpërthyes objekti i “Elektrokosmet” në veri

Një mjet shpërthyes është hedhur të enjten mbrëma rreth orës 22:30 në objektin e elektro-distribucionit në veri të Mitrovicës, konfirmuan për Telegrafin nga Policia e Kosovës.

Besim Hoti, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për veriun tha për Telegrafin se fillimisht është menduar për zjarrvënie, por më vonë është konfirmuar se ishte shpërthim.

Ai tha se përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar.

Si pasojë e këtij shpërthimi një trafo është dëmtuar krejtësisht dhe disa automjete të cilat kanë qenë të parkuara afër këtij objekti, ndërkaq rasti po hetohet.

Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar Marrëveshjen për çështjen e energjetikës gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013, e që ishte konfirmuar në gusht të 2015-së.

Qytetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut – kryesisht serbë – nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada.

Me nënshkrimin e Udhërrëfyesit pritet që të nisë edhe faturimi dhe inkasimi për energjinë e shpenzuar edhe në veri.