Supernova më e famshme nuk është më edhe aq misterioze

Duket si një varëse kozmike perlash.

Ky është imazhi i një supernove, një ylli që shpërthen i fotografuar nga teleskopi James Webb. SN1987A është një prej trupave qiellorë më të studiuar dhe më të famshëm në hemisferën jugore të qiellit.

Kur ylli shpërtheu në vitin 1987, ishte supernova më e afërt dhe më e ndritshme që mund të shihej nga Toka prej më shumë se 400 vjetësh. Ajo ndodhet 170.000 vite dritë larg planetit tonë, në Renë e Madhe të Magelanit, një galaksi xhuxhe përkrah Rrugës së Qumështit.

Unazat vezulluese janë pluhur dhe gaz që kanë dalë nga ylli në faza të ndryshme të tij që më pas janë ndriçuar për shkak të valëve të çliruara në momentin e fundit të shpërthimit dhe shkatërrimit.

Mund të shihen pika të reja që dalin jashtë unazës e cila më parë ka qenë e ndriçuar. Shohim çlirim të hidrogjenit molekular, diçka që nuk prisnim ta shihnim dhe është bërë e mundur vetëm falë rezolucionit dhe sensorëve të lartë të James Webb”,  shprehen shkencëtarët.

Një prej unazave është edhe ‘varësja e perlave’ që përmban materialin e çliruar dhe sipas llogaritjeve të shkencëtarëve, është grumbulluar rreth 20.000 vjet më parë.

Ndërkohë duken disa harqe brenda ‘varëses’ por janë pikërisht jashtë zonës së dendur që i përngjan vrimës së çelësit. Ky detaj është ende diçka e panjohur për shkencëtarët.

Teleskopi nuk mund të dallojë mbetjet e yllit. Këto janë të groposura diku në fushën e dendur të pluhurit që ka formën e vrimës së çelësit. Mbetjet duhet të jenë një trup shumë kompakt që përbëhet tërësisht nga neutronet dhe shtrihet për disa kilometra