Sveçla: Situata në veri e qetë, dorëheqje dhanë 578 policë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një konferencë për media pas mbledhjes së ekzekutivit ka thënë se situata e sigurisë është e qetë dhe përkushtimi i qeverisës është maksimal.

“Si qeveri jemi zotuar se do të angazhohemi për sundim të ligjit dhe ofrim të rendit për të gjithë qytetarët e vendit pa dallim etnie e gjinie. Sipas mandatit, bashkë me policinë jemi angazhuar që të gjitha veprimet tona më qëllim luftimin e krimit të ndermirën pas hetimeve intensive e të faktuara”, ka thënë ai.

Kreu i MPB-së tha se asnjë aksion i policisë nuk ka qenë i drejtuar ndaj etnisë serbe siç është propaganduar.

“Krimi në katër komunat në veri të vendit ka qenë i zhvilluar dhe i mirëmbajtur ndervite. Ne kemi zhvilluar 38 operacione policore, kemi shkatërruar 5 labaratore narkotike në vlerë 300 mijë euro, kemi sekuestruar mijëra produkte të kontabanduara. Kemi mbyllur 11 rrugë ilegale të cilat kanë mundësuar trafikimin e kontrabanden e mallrave”, ka deklaruar ai.

Në fund Sveçla tha se deri më tani në katër komunat veriore, dorëheqjen e kanë dorëzuar 578 pjesëtarë të policisë, prej të cilëve shumica policë të rendit, por edhe policë kufitar dhe hetues.

Ai tha se është shumë e qartë se dorëheqjet po vijnë pas kërcënimeve që ata kanë pranuar nga Serbia në rast që nuk e ndjekin këtë rrugë.