Tajlandë, policia mbledh të dhënat personale të studentëve muslimanë

Kryeministri i Tajlandës, Prayut Chan-o-cha ka mbështetur vendimin e Byrosë Speciale Policore për të mbledhur të dhënat personale të studentëve muslimanë në vend, transmeton Anadolu Agency (AA).

Prayut ka ofruar mbështetjen për vendimin e policisë duke thënë se kjo masë “është vetëm përpilim i të dhënave dhe jo diskriminim”, raportoi “Nation Thailand”.

“Individi nuk duhet asnjëherë të shqetësohet nga mbledhja e të dhënave personale nëse nuk mendon të bëjë ndonjë gjë joligjore”, ka thënë Prayut, duke pohuar se ky vendim i policisë nuk nënkupton shkelje të privatësisë së askujt.

Prayut ka thënë se për policinë, të dhënat rreth studentëve muslimanë janë të nevojshme për të krijuar një bazë unike të dhënash të dobishme për inteligjencën.

Federata Tajlandeze e Studentëve Muslimanë së fundmi lëshoi një deklaratë duke kërkuar sqarim për kërkesën zyrtare të policisë ndaj të gjitha universiteteve për të siguruar të dhënat personale të studentëve muslimanë.

Policia ka shpërndarë në rrjetet sociale një dokument dërguar një universiteti në të cilin ishte parashtruar një kërkesë e tillë.

Nga ana tjetër, studentët muslimanë e kanë quajtur këtë kërkesë të policisë si diskriminim.