Takimet e Kurtit në gjashtë muaj, paralajmërohet vizita edhe në SHBA

Kryeministri i vendit, Albin Kurti të mërkurën ishte për vizitë në Gjermani, ku u takua me kancelarin Olaf Scholz.

Ky i fundit, po dje takoi edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në përpjekje për të shtyrë para procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

E zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në një postim në rrjetin social Facebook, ka treguar për takimet e Kurtit në më pak se gjashtë muaj.

Kryeziu ka përmendur takimet e Kurtit me zyrtarët gjermanë, amerikanë, me ata të Mbretërisë së Bashkuar, Bashkimit Evropian, Austrisë, Greqisë, Bulgarisë, Kroacisë, Maqedonisë etj.

Ai po ashtu ka paralajmëruar se maji do të jetë me plot takime tjera të rëndësishme, e ka potencuar edhe vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Takimet e kryeministrit Kurti në më pak se gjashtë muaj…. E muaji maj do të jetë me përplot takime tjera të rëndësishme. Vazhdojmë nesër me ministren gjermane të Mbrojtjes, e pastaj me vizitën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan Kryeziu.

Ndryshe, kancelari gjerman Olaf Scholz zhvilloi të mërkurën në Berlin takime me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Mediat gjermane i kanë dhënë hapësirë këtyre takimeve, duke vendosur theksin te kërkesa e Scholz për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të mos lejohet ndikimi i Rusisë në rajon.

Theks të veçantë në këto raportime ka marrë edhe deklarata e Scholz ku përgëzon Kosovën në lidhje me pozicionin e qartë për krizën në Ukrainë dhe sanksionet kundër Rusisë.