Takimi i ardhshëm Kosovë-Serbi javën e ardhshme

Një takim në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve, do të zhvillohet javën e ardhshme në Bruksel, ka konfirmuar zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Çështje të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano.

Ai për KTV-në ka thënë se takimi do të zhvillohet më 22 shkurt, ndërsa mikpritës do të jetë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Ky rund i takimeve do të shërbejë për të vazhduar diskutimet e lidhura me implementimin e marrëveshjeve të deritashme dhe hapat e ardhshëm në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano.

Stano ka thënë se për një takim në mes të krerëve të shtetit, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të bëhen të ditura detajet në një kohë të përshtatshme.

Takime mes Kurtit e Vuçiqit s’ka pasur që nga vera e shkuar. Kohë më parë, përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kishte thënë se aktualisht s’sheh gatishmëri të palëve për takim.