Talebanët paralajmërojnë SHBA-në kundër shkeljes së hapësirës ajrore

Zabihullah Mujahed

Qeveria e përkohshme talebane e Afganistanit ka paralajmëruar SHBA-në që të ndalojnë shkeljet e hapësirës ajrore afgane për të parandaluar pasojat negative, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të lëshuar nga Kabuli, zëdhënësi i qeverisë talebane, Zabihullah Mujahid, tha se sulmet e dronëve amerikanë brenda Afganistanit janë shkelje e sigurisë kombëtare.

“Kohët e fundit pamë që SHBA-ja po shkel të gjithë të drejtat ndërkombëtare, ligjin dhe angazhimet e saj ndaj Emiratit Islamik në Doha të Katarit, pasi hapësira e shenjtë ajrore e Afganistanit po pushtohet nga dronët amerikanë”, tha Mujahid, duke kërkuar nga Washingtoni t’u japë fund shkeljeve.

Mujahid shtoi se sipas ligjeve ndërkombëtare “vendet janë pronarët e vetëm të sovranitetit të tyre territorial dhe ajror dhe se Emirati Islamik si entiteti i vetëm i Afganistanit është kujdestari i tokës dhe hapësirës ajrore të Afganistanit”.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve, veçanërisht SHBA-së, që të trajtojnë Afganistanin në dritën e të drejtave, ligjeve dhe angazhimeve ndërkombëtare, duke marrë parasysh respektin dhe angazhimet reciproke, në mënyrë që të parandalohen pasojat negative”, tha Mujahid.

Muajin e kaluar, talebanët morën kontrollin e Kabulit dhe këtë muaj shpallën një qeveri të përkohshme pasi trupat amerikane u larguan nga vendi më 31 gusht.

Më 29 gusht, ushtria amerikane shënjestroi automjetin e punonjësit humanitar, Zamari Ahmadi, në një sulm me dron brenda shtëpisë së tij në Kabul. Ai dyshohet se kishte lidhje me grupin terrorist DEASH-Khorasan.

Më 17 shtator, SHBA pranoi se sulmi ajror rezultoi në vdekjen e dhjetë civilëve, përfshirë një punonjës të ndihmës dhe deri në shtatë fëmijë.

Kreu i Komandës Qendrore, gjeneral Frank McKenzie, i cili më herët pohoi se Ahmadi ka lidhje me grupin terrorist DEASH-Khorasan, më vonë tha se, “Ne tani vlerësojmë se nuk ka gjasa që automjeti dhe ata që vdiqën kishin lidhje me grupin DEASH-Khorasan ose ishin një kërcënim i drejtpërdrejtë për forcat amerikane”.

McKenzio shprehu “ngushëllimet të thella” për familjet e viktimave dhe tha se sulmi u krye “me besimin e sinqertë se do të parandalonte një kërcënim të afërt për forcat amerikane dhe të evakuuarit në aeroport”.

Megjithatë, të afërmit e dhjetë personave të vrarë në sulmin me dron refuzuan “ngushëllimet dhe faljet” e SHBA-së, duke e quajtur atë një krim lufte dhe duke kërkuar drejtësi sipas ligjit ndërkombëtar. /aa