Të duam o Muhamed (paqja e Zotit qoftë mbi ty)

Dr. Rijad Imeri

E kam një mall i cili nuk përshkruhet me fjalë, sepse fjalët janë të mangëta si vet njeriu, dhe nëse e përshkruaj këtë mall me fjalët e mia, do ta zbeh atë…
E nëse e mbaj në arkën e fshehtësive të mia, në atë arkë në të cilën i mbaj kujtimet më të bukura të jetës time, në atë arkë që nuk mund të hyj askush tjetër pos atyre që i dua me gjithë shpirt, e ajo arkë është zemra ime, por zemra ime është e dobët dhe nuk po mund ta përballoj këtë mall për njeriun i cili ma ndriçoi jetën time…
E ndriçoi jetën time me fjalët e tij të ëmbla, me veprat e tija të bukura, dhe e gjithë jeta e tij u bë udhëzim për mua…
Sepse jeta e tij ishte mëshirë për njerëzimin, mëshirë e cila nuk njeh kohë e as kufij, nuk njeh gjuhë e as komb, ngase kjo mëshirë e përshkoi çdo gjë që ekziston mbi tokë, dhe se ishte dhurata më e bukur që ia dërgoi Allahu banorëve të tokës…
Edhe pse ishte jetim, ai ishte burimi i ngrohtësisë, ishte prind i çdo kujt edhe pse nuk e kishte fatin të rritej nën përkujdesjen e prindërve të tij, sepse Zoti e kishte zgjedhur edukimin e tij, që pastaj të jetë edukator i mbar njerëzimit…
Ky edukator i cili do ti udhëzonte njerëzit prej errësirës në dritë, dhe kjo errësirë nuk aludon në errësirën e natës, por në çdo errësirë e cila e kaplon shpirtin dhe mendjen njerëzore…
Andaj erdhi ai që ti udhëzoj injorantët në dritën e diturisë, nga se misioni i tij fillonte me fjalën “lexo”, me të cilën i shpalli luftë të përhershme injorancës, prandaj injoranti nuk ka vend në shkollën e këtij mësuesi…
Ky mësues i theu ligjet e këtij universi, ngase ishte mësuesi më i suksesshëm mbi sipërfaqen e tokës edhe pse nuk dinte të shkruante e as të lexonte, por që do ta nxirrte një popull i cili do të bëhej prijës i të gjitha shkencave…
Po ashtu erdhi që ti nxjerr njerëzit nga errësira e politeizmit në dritën e besimit në Zotin një, erdhi ta ndriçoj mendjen njerëzore se nuk meriton as një njeri, e as gur e as dru, e as planet të adhurohet në vend të Krijuesit të gjithësisë, dhe e ngriti lart pishtarin e udhëzimit “Nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut”, dhe se ky pishtar do t’ua ndriçoj njerëzve rrugën e udhëzimit deri në ditën e gjykimit.
Erdhi që ti nxjerr njerëzit nga errësira e padrejtësisë, në dritën e drejtësisë Hyjnore, duke e bartur kushtetutën hyjnore mbi supet e tij, dhe se kjo kushtetutë do të mbetet kushtetuta e vetme e cila ia siguron të drejtat çdo kujt, sa të ekzistoj kjo botë, ngase kjo kushtetutë nuk toleron padrejtësi dhe manipulim sepse nuk njeh pozitë e as emër, nuk njeh fuqi e as ngjyrë, por njeh vetëm devotshmëri e drejtësi, dhe se kjo kushtetutë nuk u përpilua nga logjika njerëzore por u përpilua nga fjalët hyjnore, nga Ai i cili e krijoi logjikën njerëzore dhe vet njeriun, fjalë të cilat janë melhem i mendjes, zemrës e shpirtit njerëzor.
Ky mësues ishte madhështor në vlerën e tij por modest në jetën e tij, që të ua mësoj njerëzimit se madhështia e njeriut fshehët në modestin e tij…
Andaj ky mësues u tha shokëve të tij se jam përmalluar për vëllezërit e mi, kur ata të çuditur e pyetën a nuk jemi vëllezërit e tu, i përmalluar iu përgjigj atyre: “ ju jeni shokët e mi kurse vëllezërit e mi janë ata që do të vijnë pas jush, më besojnë dhe më donë mua edhe pse nuk më kanë par…”
Nëse zemra jote e pastër ishte e përmalluar për ne, edhe zemrat tona po digjen nga malli për ty o i dërguar i Zotit, o Muhamed.
Andaj lusim Zotin e gjithëfuqishëm që këtë mall të na e shuaj në xhenet, atëherë kur do të pimë ujë keutheri nga duart e tua dhe të themi se edhe ne ty të duam o i dashuri i Zotit. O Muhamed.

Nga: Rijad Imeri