Të gjykuarit për krime lufte nuk do të gjykohen sërish

ë ftuarit e parë nga Gjykata Speciale javën e ardhshme do të udhëtojnë për në Hagë. Christopher Bennett, zëdhënës i Dhomave të Specializuara, ka thënë për “Zërin” se nëse i thirruri nga Gjykata refuzon të dëshmojë ai ose ajo mund të burgoset. Anton Nrecaj, njohës i çështjeve të drejtësisë, për “Zërin” ka thënë që të ftuarit e Speciales në këtë fazë janë ftuar vetëm për intervistë deri kur prokurori special ngrit aktakuzë ndaj tyre. “Të gjithë personat e ftuar për t’u intervistuar nga prokurori special në këtë fazë të hetimeve janë vetëm të ftuar për intervistë. Statusi i tyre mund të ndryshojë vetëm atëherë kur prokurori special ngrit aktakuzat ndaj ndonjërit nga të ftuarit, ata mund të jenë në cilësinë e të akuzuarve ose edhe të dëshmitarit. Në drejtësi është ‘parimi i prezumimit’ të pafajësisë derisa nuk ka aktgjykim të formës së presë”, ka thënë ai. Ai ka theksuar se personat të cilët tashmë janë akuzuar për krime lufte nuk mund të gjykohen përsëri. “Ka pasur edhe zëra se disa nga akuzuarit e mundshëm mund të jenë edhe persona të cilët vetëm kanë kaluar proceset gjyqësore dhe në këto raste është parimi tjetër ‘Res Judicata’, që do të thotë se ata persona janë gjykuar dhe nuk mund të gjykohen përsëri. Ndërkohë, është shumë e qartë se këtë vit Gjykata do të fillojë punën e shqyrtimit të aktakuzave të ngritura nga Prokuroria”, ka theksuar ai. Kurse Rreze Hoxha, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke e komentuar aktivizimin e Gjykatës Speciale ditëve të fundit ka thënë për “Zërin” që ftesat e para është dashur të specifikohen se për çfarë janë, pasi një gjë e tillë është e rregulluar me ligjin mbi të cilin vepron kjo gjykatë. “Fundi i vitit 2018 ka shënuar lëvizjet e para nga ana e Gjykatës Speciale. Tashmë janë disa të ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, për të cilët kjo Zyrë nuk e ka bërë të ditur cilësinë në të cilën janë ftuar ata. Ani pse Ligji për Gjykatën Speciale përcakton që secilit të ftuar i duhet kumtuar cilësia në të cilën ftohet. Prandaj në mesin e të ftuarve nga kjo zyrë mund të ketë të ftuar në cilësinë e dëshmitarit, si dhe të dyshuarve potencialë”, ka thënë Hoxha. Ajo ka potencuar se viti 2019 do të shënojë edhe rritjen e intensifikimit të punës së Gjykatës Speciale.