Të shtëna me armë në Tiranë, një i vrarë dhe katër të plagosur

Një 35-vjeçar ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur, pas përplasjes me armë zjarri këtë pasdite në Tiranë.

Përplasja e armatosur raportohet të ketë ndodhur rreth orës 16:10, në zonën e “Don Boskos”, konkretisht në ambientet e një lokali në kompleksin “Fiori di Bosco”.
Dyshohet se autori ka qëlluar jashtë lokalit drejt një tavoline ku po konsumonin kafenë pesë të rinj. Një prej tyre, i identifikuar si Erion Çela, ka mbetur i vdekur në vend.

Të plagosurit janë 19-vjeçari Azbi Selimaj, i dëmtuar në shpatull, vëllai i viktimës, 28-vjeçari Blerim Çela, i plagosur në këmbë dhe fytyrë, 41-vjeçari Edmond Crroj dhe 46-vjeçari Arben Dani.

Në vendngjarje ka mbërritur policia dhe grupi hetimor, që kanë rrethuar skenën e krimit. Zona, ku ka ndodhur ngjarja e rëndë është ndër më të populluar në kryeqytet. Pritet që dëshmitarët dhe kamerat e sigurisë të lokalit të ndihmojnë për identifikimin e autorit/ autorëve.

Ndërkohë, janë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës dhe në brendësi të lagjeve ku dyshohet se janë larguar personat, të cilët pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me një automjet tip “Mercedes-Benz”. /tch/