Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, ka paralajmëruar se forcat e armatosura të shtetit të tij do ta shënjestrojnë Izraelin, nëse ky i fundit ndërmerr veprime kundër Republikës Islamike.
“Nëse ndodh lëvizja më e vogël nga ana juaj kundër shtetit të Iranit, qendra e regjimit Zionist do të jetë destinacion i forcave tona të armatosura”, tha Raisi, duke iu referuar Iraelit. Ai nuk dha më shumë detaje, por shtoi se Irani po shikon “nga afër” çdo lëvizje të Izraelit.
Raisi i bëri këto komente më 18 prill gjatë fjalimit në paradën vjetore të forcave të armatosura të Iranit.
Teherani nuk e ka njohur Izraelin që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979 dhe mbështet grupe militante anti-izraelite, të tilla si Hamas dhe Hezbollah.
Teherani po ashtu e fajëson Izraelin për sabotim të centraleve të tij bërthamore dhe për vrasjen e një shkencëtari bërthamor.
Izraeli ka kundërshtuar marrëveshjen bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore, të arritur më 2015, dhe ka thënë se ky pakt nuk është i mjaftueshëm për të ulur aktivitetin e programit bërthamor dhe aktiviteteve ushtarake të Iranit në mbarë rajonin. Izraeli po ashtu ka thënë se nuk do jetë i detyruar nga asnjë marrëveshje dhe mundet që potencialisht të ndërmarrë veprime të njëanshme kundër centraleve bërthamore iraniane.
Teherani dhe fuqitë botërore po tentojnë që të ringjallin marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, por bisedimet në Vjenë kanë ngecur për javë të tëra.
Kjo marrëveshje kolapsoi katër vjet më parë, pasi presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga pakti dhe rivendosi sanksione të ashpra ndaj Iranit.
Që atëherë, Irani ka zgjeruar punën e tij bërthamore. Teherani insiston se nuk ka plane që të krijojë armë bërthamore. /rel