Teknik shëndetësor për çdo 20 haxhi gjatë Haxhit 2021

Arabia Saudite ka caktuar nga një teknik shëndetësor për çdo 20 haxhi gjatë sezonit të sivjetmë të Haxhit, kjo për të rritur përpjekjet për organizim sa më të mirë të Haxhit i cili përsëri sivjet do të mbahet nën masat Covid-19.

Arabia Saudite ka kufizuar Haxhin e sivjetmë në 60.000 haxhilerë qofshin ata Sauditë apo musliman të huaj që jetojnë në mbretëri, për shkak të vazhdimit të COVID-19 dhe varianteve të tij.

“Do të ketë një shoqërues për çdo 20 haxhilerë, duke vepruar si një udhëheqës shëndetësor për të ofruar udhëzime dhe për të verifikuar zbatimin e masave parandaluese gjatë të gjitha lëvizjeve të haxhilerëve,” tha zëdhënësi i Ministrisë Saudite të Haxhit dhe Umras, Hesham Saeed.

Ai i tha televizionit shtetëror saudit Al Ekhbariya se 25 rrathë janë ndarë në oborrin e Xhamisë së Madhe në Mekë për bërjen e tavafit (rrethrrotullimin ritual të Qabes së Shenjtë gjatë Haxhit).

“Gjithashtu janë bërë përgatitjet për dyert përmes të cilave pelegrinë do të hyjnë dhe do të dalin nga Xhamia e Madhe,” shtoi Saeed.

Haxhilerët e pranuar këtë vit duhet të jenë të vaksinuar kundër COVID-19, pa sëmundje kronike dhe të moshës ndërmjet 18 deri 65 vjeç.

Aplikantët e pranuar të Haxhit duhet të marrin dozën e dytë të vaksinës COVID-19, ka thënë Ministria e Haxhit. Ata mund të vizitojnë qendrën më të afërt të vaksinimit pa termin, por brenda 48 orëve nga marrja e lejes së Haxhit.

Haxhi i vitit të kaluar u krye nga një numër i kufizuar sauditësh dhe muslimanë të huaj që banonin në Arabinë Saudite për të parandaluar përhapjen e COVID-19. /mesazhi.com