Televizioni belg VRT proteston kundër Izraelit gjatë transmetimit të Eurovizionit

Televizioni belg VRT ndërpreu transmetimin e tij të Festivalit të Këngës Eurovizion të enjten vonë për të dënuar shkeljet e Izraelit të të drejtave të njeriut dhe lirisë së shtypit dhe bëri thirrje për armëpushim në Gaza, raporton Anadolu.

VRT, që transmeton flamanisht, ndërpreu gjysmëfinalen e dytë të Eurovizionit të mbajtur në Malmö të Suedisë për të protestuar kundër sulmeve të Izraelit në Gaza.

“Ky është një aksion sindikal. Ne dënojmë shkeljet e të drejtave të njeriut të shtetit izraelit. Përveç kësaj, Izraeli po shkatërron lirinë e shtypit. Prandaj, po bëjmë një pushim të përkohshëm nga transmetimi ynë. Armëpushim tani”, thuhet në reagimin e paraqitur nga televizioni.

Dy ministra belgë kishin shprehur më parë besimin e tyre se Izraeli nuk duhet të marrë pjesë në Festivalin e Këngës në Eurovizion për sa kohë që sulmet e tij ndaj civilëve në Gaza vazhdojnë.

Artistët që përfaqësojnë Belgjikën, Portugalinë, Britaninë, Irlandën, Zvicrën, Norvegjinë, Danimarkën, Lituaninë, Finlandën dhe San Marinon në Eurovizion, kanë bërë thirrje për armëpushim urgjent dhe të qëndrueshëm në Gaza.

Sektorë të ndryshëm nga shumë vende evropiane kishin bërë thirrje që Izraelit t’i ndalohej pjesëmarrja në finalen e Eurovizionit, e cila do të zhvillohet në Malmö më 11 maj.