Tensione në protestën para Bashkisë së Tiranës

Protesta para selisë së Bashkisë së Tiranës u shoqërua nga tensionet, pasi disa protestues hodhën molotovë, tymuese, bojë dhe sende të tjera ndaj selisë së bashkisë

Në Shqipëri është organizuar një protestë për të “denoncuar rastet e korrupsionit në Bashkinë e Tiranës”, ndërkohë protesta është shoqëruar me tensione dhe përplasje me forcat e policisë, raporton Anadolu.

Protesta është organizuar me thirrjen e përfaqësuesve të partive opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë së Lirisë, si dhe përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile dhe aktivistëve të shoqërisë civile, para selisë së Bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë, protesta u shoqërua nga tensionet, pasi disa protestues hodhën molotovë, tymuese, bojë dhe sende të tjera ndaj selisë së bashkisë, si dhe u përplasën edhe me forcat e policisë. Gjatë momenteve të tensioneve u shkaktua edhe zjarr në hyrje të godinës së Bashkisë së Tiranës.

Disa protestues dhe përfaqësues të partive opozitare kanë tentuar të hyjnë në ambientet e bashkisë, ku si pasojë janë përplasur me forcat e policisë.

Protestës së sotme i janë bashkuar edhe deputetë dhe përfaqësues të tjerë të partive opozitare, të cilët kanë kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Protesta organizohet pas arrestimit në fund të muajit mars të këtij viti të disa ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive”.

– Protesta shkakton reagime

Protesta para Bashkisë së Tiranës ka sjellë edhe reagimet e ambasadave në Shqipëri.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë thekson se dënojnë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, “gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë”. “Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE-së.

Mbi protestën në fjalë ka reaguar në rrjetet sociale edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tirana e cila thekson se “dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës”.

“E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së.

Në reagimin e Ambasadës së Britanisë të publikuar në rrjetet sociale thuhet se “Skenat jashtë Bashkisë së Tiranës sot dhe përdorimi i koktejve molotov nuk kanë vend në demokraci. Ambasada Britanike dënon përdorimin e dhunës dhe aktet e frikësimit”.

Ndërkohë, organizatorët e protestës së sotme kanë paralajmëruar vijimin e protestave para Bashkisë së Tiranës.