Tërmeti në Turqi ka prekur 13.5 milionë banorë

Ministri i Urbanizmit dhe Mjedisit i Turqisë, Murat Kurum tha se dy tërmetet e djeshme shkatërruese kanë prekur drejtpërdrejt 13.5 milionë banorë të Turqisë, raporton Anadolu.

Ministri Kurum mëngjesin e sotëm ka vizituar qendrën koordinuese të AFAD-it për tërmetet në qytetin Gaziantep, ku ka folur në një konferencë për media.

Ai tha se pas tërmetit të vitit 1939 në Erzincan, vendi u përball me tërmetin më të fuqishëm që nga shekulli i kaluar. Kurum tha se “dy tërmetet prekën drejtpërdrejt 13.5 milionë njerëz në 10 qytete”.

Për sa i përket efekteve dhe pasojave, është fatkeqësia më e madhe në 100 vitet e fundit, shtoi Kurum.

Sipas të dhënave të fundit, të paktën 3.432 persona kanë humbur jetën ndërsa të paktën 21.103 janë lënduar nga tërmetet që goditën dje pjesët jugore të Turqisë.

Një tërmet me magnitudë 7.7 ballë të shkallës Rihter goditi Turqinë jugore të hënën në mëngjes. Epiqendra e tërmetit u regjistrua në qarkun Pazarcik në Kahramanmaraş të Turqisë. Provincat Gaziantep, Sanliurfa, Diyarbakir, Adana, Adiyaman, Malatya, Osmaniye, Hatay dhe Kilis gjithashtu janë prekur rëndë nga tërmeti.

Tërmeti është ndjerë edhe në Sirinë fqinje, ndërsa lëkundjet e tokës janë ndjerë edhe në Irak, Liban, Egjipt dhe rajone të tjera.

Më pas, të hënën në orën 13:24 sipas kohës lokale, një tërmet tjetër 7.6 ballë sipas Rihterit goditi qarkun Elbistan, gjithashtu në Kahramanmaraş.

Presidenti i Turqisë-, Recep Tayyip Erdoğan tha se vendi është tronditur nga fatkeqësia më e madhe që nga tërmeti i vitit 1939 në Erzincan.

Për shkak të tërmeteve shkatërruese, Turqia ka shpallur shtatë ditë zie. /aa