Tërnava-shefit të EULEX-it: Rrugët në Graçanicë janë të bllokuara, s’është në rregull

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, me rastin e festës së Kurban Bajramit në Bashkësinë Islame priti sot shefin e ri të EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

Barbano gjatë vizitës theksoi rëndësinë e kësaj festë, duke uruar njëkohësisht edhe të gjithë qytetarët.

Pas urimeve, Tërnava dhe Barbano diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në veri të vendit, me ç’rast, Tërnava tha se në Kosovë s’mund të ketë dy ligje, dy kushtetuta.

“Dëshiroj të uroj shumë edhe për kthimin e situatës në veri të vendit të kthehet në normalitet. Në Kosovë s’mund të ketë dy ligje, dy kushtetuta. Duke pasur parasysh edhe specifikat që mund t’i kenë komunitetet, shembull sot është ditë Bajrami, ndërsa rrugët në Graçanicë janë të bllokuara. Nuk është në rregull”, tha Tërnava.

Lidhur me këtë, Barbano tha se EULEX-i do të luajë rolin e tij për të ofruar drejtësi dhe do të sigurojë që do të ketë trajtim të barabartë për të gjithë.

“Lidhur me deklaratën tuaj që keni bërë herët në mëngjes e vlerësoj shumë thirrjen tuaj për dialog si mjet për zgjidhjen e problemeve, duke respektuar të drejtat e minoriteteve, grupeve dhe të gjitha kulturave. EULEX-i do të luajë rolin e tij për të ofruar drejtësi, duke marrë një qëndrim më të sigurt dhe më proaktiv në mënyrë që të drejtat e qytetarëve të Kosovës të sigurohen në çdo aspekt të drejtësisë”, tha Barbano.