Tetë të arrestuar gjatë aksionit të PSD-së kundër “tiketave ngjitëse”

Partia Socialdemokrate (PSD) ndërmori një aksion mesditën e sotme në hapësirat pranë ndërtesës së qeverisë, saktësisht te ish-objekti i “Rilindjes” për të kundërshtuar “tiketat ngjitëse”, ndërkaq tetë nga personat pjesëmarrës në këtë aksion janë arrestuar.

Kështu kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës.

“Sot rreth orës 12:00 në rrugën “Ukshin Hoti” në Prishtinë, një grumbull personash kanë zhvilluar një aktivitet të paparalajmëruar. Si pasojë e veprimeve të tyre me shkruarjen e grafiteve, janë dëmtuar disa vetura”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, “Të njëjtit vazhdimisht kanë shfaqur shenja të agresivitetit, veprimeve të ulëta të kontaktit fizik me pjesëtarë të policisë, shpërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policor si dhe pengim të tyre në kryerjen e detyrës zyrtare”.

“Duke u gjendur në rrethana të tilla, policia ka shoqëruar në stacionin policor tetë prej tyre dhe aktualisht të njëjtit janë duke u proceduar në fazën preliminare. Së këndejmi është njoftuar edhe prokurori i shtetit i cili bashkërisht me policinë po koordinon veprimet vijuese që konsistojnë në zbardhjen e të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen, përpara masave të mëtejme në procedurë”, thuhet në njoftim.