Thaçi: Kosova është shteti më proevropian, por ende më i izoluari

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë sot pjesë në hapjen e konferencës: ‘NATO dhe Ballkani Perëndimor: Dinamikat rajonale në erën e sfidave globale të sigurisë’.

Me këtë rast, presidenti ka theksuar se Kosova ishte shembulli më i mirë i reagimit të NATO-s ndaj sfidës më të madhe të sigurisë në atë kohë në Evropë.

Sipas tij, liria e Kosovës ishte vlerë që na bashkoi neve, si politikanë dhe qytetarë të Kosovës, me vlerën supreme të sigurisë ndërkombëtare, atë të paktit NATO, pikërisht në ditëlindjen e pesëdhjetë të saj.

“KFOR-i, i cili është garant i stabilitetit në Kosovë, është misioni më i suksesshëm i paqes në botë për dekada me radhë. Kosova sot është një shtet stabil, i qëndrueshëm dhe me synime të qarta”, ka theksuar ai.

 

Megjithëkëtë, Thaçi vuri në dukje se Kosova edhe më tutje po përballet me paradokse të llojit të veçantë.

Sipas tij, Kosova është pa kurrfarë dyshimi shteti më proevropian, më pro NATO dhe më pro amerikan në botë, ndërsa është njëkohësisht shteti më i izoluar.

Ai ka thënë se Kosova është kampion në rajon në luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit përkundër faktit se jemi të anashkaluar dhe ende nuk jemi bërë anëtar të Interpolit./Mesazhi/