Thaçi para nisjes për në Berlin: Pres nga Merkel dhe Macron të kërkojnë nga Vuçiq njohjen e Kosovës

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka mbajtur një konferencë për media pak para nisjes për në Berlin.

Thaçi është shprehur optimist për Takimin e Berlinit, kushtuar zhvillimeve aktuale në Ballkanin Perëndimor, duke thënë se me theks të veçantë pritet të diskutohet edhe për Kosovën.

Ai tutje tha se pret nga kancelarja gjermane, Angela Merkel si dhe nga presidenti francez, Emmanuel Macron që të kërkojnë nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq të njohë shtetin e Kosovës, gjithashtu edhe pesë vendet tjera të BE-së që nuk e kanë bërë këtë gjë ende, shkruan Indeksonline.

“Siç e dini nesër mbahet Takimi i Berlinit, kushtuar zhvillimeve aktuale në Ballkanin Perëndimor me theks të veçantë për Kosovën gjithashtu, ky takim do jetë një mundësi e mirë që ta hapen perspektiva më të shpejta për të ardhmen evropiane të rajonit. Shteti i Kosovës ka qëndrime të qarta ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe shpresojmë dhe besojmë se kancelarja Merkel dhe presidenti Macron do të jenë të qartë për mbështetjen drejt Kosovës sa i përket liberalizmit të vizave, përndryshe do të jetë një zhgënjim i madh i qytetarëve për këtë padrejtësi dhe dështim që mund ‘ti ndodhë qytetarëve edhe nga ky samit.Gjithashtu theksoi se edh sa i përket mundësisë së vazhdimit të dialogut Kosova është shumë e qartë, është e gatshme të vazhdojë dialogun për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, për fqinjësi të mirë dhe njohje reciproke por në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë dialog të kushtëzuar nga Serbia”, tha Thaçi.

Ai tutje theksoi se pret që në këtë takim të diskutohet për gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë në prani të shumë njerëzve të rëndësishëm, ndër ta Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, si dhe shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.

“Pres që gjithashtu të njihet gjenocidi i Serbisë i kryer në Kosovë, në prani të presidentit Juncker dhe zonjës Mogherini ku dihet se nga dita në ditë apo çdo ditë marrim pjesë në ceremoni të ndryshme ku pushteti i Serbisë ka kryer gjenocid në Kosovë. Ne anën tjetër do të vazhdojmë të rikonfirojmë zotimet tona për reforma të nevojshme, qoftë në ekonomi, siguri apo kundër terrorizmit dhe do të tregojmë zotimin tonë për të lëvizur lirshëm dhe se e meritojmë rrugën drejt BE-së dhe NATO-s. Pozicioni jonë është kushtetues, ligjor, shumë i qartë, jemi vend i pavarur dhe sovran. Nuk pres që të ndodhë dialog mes Kosovës dhe Serbisë, apo negociata por në të njëjtën kohë unë vazhdoj të ritheksoj fuqishëm pozicionin tim se do të ishte në interes mbështetja e të drejtës shqiptare të Luginës për bashkëngjitje me territorin e Kosovës. Do të ishte një korrigjim i padrejtësive historike, por gjithmonë kundër shkëmbimit të territoreve, pasi është pazar dhe nuk guxon askush ta bëjë”, tha tutje Thaçi, transmeton Indeksonline.

Presidenti i vendit tha se rikonfirmon se nuk do të lejojë asnjë lloj statusi për sovranitet të dyfishtë, as ndonjë modalitet të Republikës Srbska.

“Rikonfirmojë prapë sot e nuk lejojë asnjë lloj statusi për sovranitet të dyfishtë, as ndonjë modalitet të Republikës Srbska që mund ta ketë ndokush në mendje për ta hedhur aty, apo asnjë lloj asociacioni sepse të gjitha janë të kaluara. Pres nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron që të kërkojnë nga Vuçiq njohjen e Kosovës, por edhe njohjen e Kosovës nga pesë vende të tjera të BE-së të cilët kanë ende hezitime për ta njohur shtetin e Kosovës. Do të jetë një mundësi e mirë që Merkel dhe Macron të bëjnë një gjë të tillë në një takim të tillë ku pritjet janë të mëdha por që nuk duhet pritur mrekulli”, përfundoi Thaçi pak para nisjes për në Berlin nga aeroporti ‘Adem Jashari’