Thaçi: S’ka pasur më shumë se 12 mijë luftëtarë me uniformë, të tjerët janë mashtrime

Agjencia Kundër Korrupsionit ka organizuar një Konferencë Rajonale Kundër Korrupsionit e cila po mbahet sot në Prishtinë.

Në këtë konferencë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se korrupsioni është një sfidë me shkallë globale që shkakton pasoja ekonomike por pasoja edhe në rrafshin e sigurisë.

“Prania e korrupsionit është në të gjitha shtetet në zhvillim por edhe tek ato në proces të tranzicionit siç është Kosova. Përgjatë 10 viteve shtet Kosova ka marrë një sër veprimesh për konsolidim të ligjit. Në këtë drejtim Republika e Kosovës ka miratuar legjislacion për këtë fushë duke krijuar mekanizma institucional për këtë qëllim. Të arriturat e Kosovës në luftën kundër korrupsionit janë evidente”, është shprehur Thaçi, raporton lajmi.net.

Presidenti ka theksuar se është rritur numri i gjyqtarëve, i prokurorëve dhe është shtuar buxheti për institucionet për sundimin e ligjit.

“Kosova ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ne e dimë se lufta kundër krimit dhe korrupsionit nuk është e lehtë nuk është e shkurtër por ne jemi të vendosur të ecim përpara. Sfidat duhet t’i kalojë duke bashkëpunuar me vendet e rajonit dhe më gjerë”.

Thaçi ka kërkuar nga ndërkombëtarët që ta përkrahin Kosovën të anëtarësohet në INTERPOL.

“Anëtarësimi në INTERPOL do të sillte dobi jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin humbës do të ishin vetëm njerëzit e kriminalizuar, pres mbështetje nga miqtë ndërkombëtar”.

Tutje, Thaçi ka bërë thirrje që sistemi i drejtësisë t’i ik çdo pretendimi politik.

“Për rastin e veteranëve duhet ta inkurajojmë drejtësinë që rasti të shkojë deri në fund. E vërteta është se nuk ka pasur më shumë se 12 mijë luftëtarë me uniformë ndërsa të gjithë të tjerat janë mashtrime, kësaj duhet t’i shkohet deri në fund përmes drejtësisë”, ka përfunduar presidenti.