Tregu i komunikimeve elektronike u tkurr me 3.1% në vitin 2023

Dy operatorët e rrjeteve celulare, Vodafone Albania dhe One Albania, vitin e kaluar raportuan të ardhura prej komunikimeve elektronike në vlerën 25.43 miliardë lekë, shifër kjo afërsisht e njëjtë me vitin 2022.

Tregu i komunikimeve elektronike pësoi rënie vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të raportuara në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) nga operatorët e tregut, të ardhurat totale prekën vlerën e 37 miliardë lekëve, duke u tkurrur me 3.1% krahasuar me vitin 2022.

Efektin kryesor në rënien e volumit të tregut për vitin 2023 e dha tregu i komunikimeve fikse, ndërsa tregu celular ishte në vlera pothuajse të njëjta me vitin 2022. Tregu i shërbimeve celulare vazhdon të sigurojë volumin më të madh të të ardhurave të tregut, me pothuajse 69% të xhiros totale të tregut, në rritje të mëtejshme nga niveli prej 66% i një viti më parë.

Dy operatorët e rrjeteve celulare, Vodafone Albania dhe One Albania, vitin e kaluar raportuan të ardhura prej komunikimeve elektronike në vlerën 25.43 miliardë lekë, shifër kjo afërsisht e njëjtë me vitin 2022.

Në ndarjen e tregut sipas xhiros së gjeneruar nga segmenti celular, Vodafone Albania ka thelluar dominimin e vet, me rreth 56% të totalit të tregut.

Në vitin e parë pas shkrirjes mes dy ish-operatorëve ONE Telecommuniactions dhe ALBtelecom, operatori i ri, One Albania, ka humbur terren, duke zbritur në 44% të tregut sipas xhiros, nga 48% që kishte qenë pjesa e përbashkët e dy operatorëve përpara bashkimit, në 2022.

Të dhënat e AKEP tregojnë se numri total i abonentëve celularë ose kartave SIM në fund të vitit 2023 arriti në rreth 3.8 milionë, e thënë ndryshe çdo banor në Shqipëri posedon rreth 1.4 karta SIM, shifёr kjo mё e lartё se mesatarja europiane prej 1.23 karta SIM pёr banorё.

Megjithatë, numri i kartave SIM aktive (numri i kartave tё përdorura për të kryer komunikime elektronike gjatë tre muajve të fundit) arriti në rreth 2.6 milionë, në rënie vjetore me 7.1%. Rënia e numrit të kartave SIM aktive mund të jetë pjesërishst e lidhur me shkrirjen e ALBtelecom Mobile me operatorin e ri, One Albania. Por, ky mund të jetë edhe një tregues i mëtejshëm i tendencave negative demografike të vendit.

Volumi i tregut të shërbimeve nga rrjetet fikse vitin e kaluar ra në 11.6 miliardë lekë, me një rënie prej 9.2% krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, sipas AKEP, rënia e volumit të tregut nuk është shkaktuar nga tendencat e biznesit, por nga riklasifikimi i të ardhurave të dy sipërmarrësve të veçantë, të ardhurat e të cilëve janë kundërshtuar në proces gjyqësor për tu mos u klasifikuar si të ardhura të gjenerura nga ofrimi i komunikimeve elektronike në Shqipëri (për vitin 2022 të ardhurat e raportuara nga sipërmarrësit e mësipërm ishin rreth 1.3 miliardë leke).

Rreth 78% e të ardhurave të tregut të shërbimeve nga linjat fikse gjenerohen nga 7 operatorët kryesorë të tregut, ku kryeson One Albania, me 35%, i ndjekur nga Vodafone me 23%, ASC me 7%, Digicom me 5%, Abissnet dhe Nisatel me 3%. Operatorët e tjerë, të marrë së bashku, vlerësohet se zotërojnë rreth 22% të të ardhurave të këtij tregu.

Ndërkohë që ka humbur terren në segmentin ceular, One Albania duket se është rritur ndjeshëm në shërbimet fikse, duke e zgjeruar pjesën e tregut me afërsisht 9 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.

Të dhënat e AKEP tregojnë se numri i abonentëve të shërbimit të internetit me linja fikse në fund të vitit 2023 arriti në 631 mijë, në rritje me 8% krahasuar me një vit më parë.