Trendafilova: Zbardhja e vërtetës për krimet e dyshuara nga UÇK-ja i intereson vetë UÇK-së

​Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova në një konferencë për media tha se zbardhja e së vërtetës për krimet e dyshuara të kryera nga UÇK-ja, i intereson vetë UÇK-së

Trendafilova tha se e rëndësishme është zbardhja e së vërtetës edhe nëse ka akuza, “sepse kjo i intereson në radhë të parë vetë UÇK-së”.

“Jemi në fillim të procesit, por siguroj se ekipi i gjykatësve së shpejti do të jetë së shpejti plotësisht operativ dhe se prokurorët do të jenë tërësisht të pavarur të marrin vendime. Po ashtu duhet të kemi shumë kujdes që të mbrohen dëshmitarët”, ka thënë kryetarja.

Trendafilova theksoi se që prej emërimit, përparësia e saj numër një dhe synimi i saj kryesor ka qenë ngritja e një strukture ligjore për Dhomat e Specializuara.

“Në të gjithë përpjekjet e mia të deritashme, kam qenë fuqimisht e motivuar që institucioni ynë t’u përmbahet standardeve më të larta në fushën ligjore, që të ngulisim praktikat më të mira, të marrim vendime gjyqësore sa më cilësore dhe t’i kryejmë detyrat tona me profesionalizëm dhe ndershmëri maksimale”, tha Trendafilova.

Lidhur me vendimin e shqiptuar nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese më 26 prill e cila konstatoi se për 9 nga 208 rregulla të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, nevojitej shqyrtim i mëtejshëm nga gjykatësit e Plenares, ajo u shpreh: “Shqyrtimi dhe përfundimet e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në asnjë mënyrë nuk zbehin cilësinë e punës së kryer nga Plenarja. Nuk është e pazakontë që dokumentet legjislative t’i nënshtrohen një analize të imtësishme, dhe në këtë mënyrë përmirësohet cilësia e tyre. Kjo është një provë dhe garanci më shumë se procedurat para Dhomave të Specializuara të Kosovës do të kryhen në mënyrë profesionale, të pavarur dhe të paanshme”.

Në lidhje me hapat vijues, Trendafilova bëri të ditur se tashmë ajo është në procesin e thirrjes së seancës së dytë plenare të gjykatësve. Pritet që duke punuar në mënyrë të përshpejtuar, nga fundi i majit 2017 të miratohen korrigjimet e nevojshme të këtyre rregullave. Më pas, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese do t’i shqyrtojë sërish këto rregulla.

Rregullorja e Procedurës dhe e Provave do të hyjë në fuqi shtatë ditë pasi të jetë vendosur se është në përputhshmëri me Kushtetutën. Nga ai moment, Dhomat e Specializuara do të mund të pranojnë dorëzimin e parashtrimeve dhe të kryejnë procedura penale.

Së fundi ajo theksoi: “E konsideroj nder që m’u besua udhëheqja e e këtij misioni për të mundësuar që Dhomat e Specializuara të bëjnë drejtësi në mënyrë efikase, të shpejtë, ekonomike, të pavarur nga çdo ndërhyrje dhe duke mbrojtur e garantuar sigurinë e dëshmitarëve dhe të drejtat themelore të të akuzuarve.”