Trudeau bën thirrje për masa shtrënguese në Kanada

Justin Trudeau

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau bëri thirrje për një shtrëngim të masave shëndetësore në vend, në mes të shqetësimit të valës së tretë të COVID-19.

 

“Kjo valë e re, e shenjuar nga një përhapje e fortë e varianteve të virusit, në veçanti e atij britanik, është shqetësuese”, tha ai në një konferencë shtypi.

“Në disa vende në Kanada, nevojiten masa më të rrepta për të frenuar përhapjen e virusit”, shtoi Trudeau, në një kohë kur provincat më të populluara, Ontario dhe Quebec, sapo kanë forcuar kufizimet e tyre antiCOVID-19.

Kanada ka regjistruar më shumë se 25 000 raste të varianteve më ngjitëse të COVID-19 që nga fillimi i vitit, me provincat më të prekura Ontario, Alberta dhe British Columbia.

Në vend janë regjistruar më shumë se një milion raste COVID-19 dhe më shumë se 23 000 vdekje të lidhura me virusin, që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit 2020./atsh