Trump: Arabia Saudite do të duhet të paguajë nëse dëshiron të qëndrojmë në Siri

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka deklaruar se vendet që duan që SHBA-të të qëndrojnë në Siri do të duhet të paguajnë për të vazhduar praninë ushtarake amerikane.

Zyrtarët e Mbretërisë kanë treguar se duan që SHBA-të të qëndrojnë, tha presidenti Trump, duke shtuar se ai u ka thënë atyre se ata do të duhet të paguajnë për të vazhduar operacionet amerikane, raporton Anadolu Agency (AA).

“Arabia Saudite është shumë e interesuar për vendimin tonë, dhe unë u thashë, ‘mirë, ju na doni neve të qëndrojmë, ndoshta ju do të duhet të paguani”, u tha presidenti Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne bëjmë shumë gjëra në këtë vend. Ne e bëjmë për shumë arsye, por është shumë e kushtueshme për vendin tonë dhe ndihmon vendet tjera shumë më tepër se sa që na ndihmon neve. Pra, ne do të marrim një vendim”, tha ai.