Presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaruan se është arritur përparim në bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë, pas takimit të tyre në Florida. Megjithatë, Trump pranoi se disa çështje kyçe mbeten ende të pazgjidhura, veçanërisht ajo e territorit.
Trump tha për gazetarët në Mar-a-Lago se “një ose dy çështje shumë të ndërlikuara” vazhdojnë të mbeten pengesë, duke theksuar problemin e tokës si më të rëndësishmin.
Zelensky u shpreh se palët kanë rënë dakord për rreth 90 për qind të një plani paqeje me 20 pika, ndërsa Trump tha se një garanci sigurie për Ukrainën është “gati 95 për qind” e përfunduar.
Presidenti ukrainas shtoi se ekipet amerikane dhe ukrainase do të takohen sërish javën e ardhshme për bisedime të mëtejshme, me synimin për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, e cila po hyn në vitin e saj të katërt. /mesazhi





