Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se takimi i tij me dyer të mbyllura me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk prodhoi ndonjë rezultat konkret, por theksoi se ai këmbënguli për vazhdimin e negociatave me Iranin, transmeton Anadolu.
“Nuk u arrit asgjë përfundimtare, përveç faktit që unë këmbëngula që negociatat me Iranin të vazhdojnë për të parë nëse mund të arrihet një marrëveshje. Nëse kjo është e mundur, i bëra të ditur kryeministrit se kjo do të ishte preferenca ime”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social pas takimit që zgjati rreth dy orë e gjysmë.
“Nëse nuk është e mundur, atëherë mbetet të shihet cili do të jetë rezultati. Herën e fundit Irani vendosi se ishte më mirë të mos bënte marrëveshje dhe u godit me ‘Midnight Hammer’. Kjo nuk përfundoi mirë për ta. Shpresoj që këtë herë të jenë më të arsyeshëm dhe më të përgjegjshëm”, shtoi ai.
Trump iu referua sulmeve që ai autorizoi ndaj objekteve bërthamore të Iranit në qershor të vitit të kaluar. SHBA-ja dhe Irani zhvilluan bisedime javën e kaluar në Oman për herë të parë që nga ato sulme dhe pritet të mbajnë raunde të tjera negociatash.
Trump e përshkroi raundin e parë të bisedimeve në Muskat si “shumë të mirë”, duke theksuar se Teherani tregoi qartë dëshirën për një marrëveshje të re dhe se palët planifikojnë të takohen sërish.
Irani, nga ana e tij, deklaroi se SHBA-ja dhe Izraeli po sajojnë pretekste për ndërhyrje ushtarake dhe ndryshim regjimi, duke paralajmëruar se do t’i përgjigjet çdo sulmi. Teherani këmbëngul në heqjen e sanksioneve ekonomike perëndimore në këmbim të kufizimeve në programin e tij bërthamor.
Pasurimi i uraniumit mbetet pika kryesore e mosmarrëveshjes. SHBA-ja kërkon ndalimin e pasurimit, ndërsa Irani e konsideron këtë të panegociueshme. Washingtoni gjithashtu ka kërkuar përfshirjen e programit raketor iranian dhe rolit të tij rajonal në negociata, por Teherani e ka refuzuar këtë.
Tensionet midis Washingtonit dhe Teheranit janë rritur, të nxitura nga prania ushtarake amerikane në Gjirin Persik dhe deklaratat e Trumpit.
Para nisjes për në SHBA, Netanyahu tha se do t’i paraqiste Trumpit vizionin e Izraelit për negociatat me Iranin.
Trump gjithashtu bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet në Gaza dhe rajon.
Takimi ishte i shtati midis Trumpit dhe Netanyahut që nga fillimi i mandatit të dytë të presidentit amerikan. Sipas mediave izraelite, Netanyahu përshpejtoi vizitën e tij në SHBA për shkak të negociatave me Iranin.

