Trump njofton takim të dytë me Kim Jong-unin, kërkon unitet politik në SHBA

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi gjatë fjalimit të përvitshëm mbi “gjendjen e kombit” se do të zhvillojë një samit të dytë bërthamor me udhëheqësin e Koresë së Veriut, gjatë këtij muaji.

Në adresimin në Kongres përpara kombit, me temë “Zgjedhim madhështinë”, ai u zotua sërish të ndërtojë murin në kufirin me Meksikën. E ndërsa bëri apel për unitet politik, presidenti republikan tha gjithashtu se “hetimet e njëanshme dhe qesharake” do të dëmtonin prosperitetin e Shteteve të Bashkuara.

Si kundërpërgjigje për këtë të fundit, demokratët e akuzuan Trumpin se po braktis vlerat e Amerikës.

Fjalimi i tij erdhi vetëm pak net pasi ai ra dakord t’i jepte fund mbylljes së pjesshme më jetëgjatë të qeverisë federale në SHBA, pasi demokratët refuzuan të financonin murin kufitar me Meksikën. Agjencitë federale rrezikojnë të mbyllen sërish, nëse plani i shpenzimeve nuk rakordohet deri në fund të javës së ardhshme.

Në fjalimin 82-minutësh, presidenti tha gjatë natës së të martës se do të takohej me Kim Jong-unin në Vietnam më 27-28 shkurt.

“Mbetet ende punë për të bërë, por marrëdhënia ime me Kim Jong-unin është një marrëdhënie e mirë”, tha Trump.

Planet për një samit të dytë kanë qenë aty që prej biseidmeve historike mes dy udhëheqësve gjatë vitit të kaluar. Takimi i Trumpit dhe Kimit, qershorin e kaluar në Singapor, ishte i pari në histori mes një presidenti në detyrë amerikan dhe një udhëheqësi koreano-verior.

E ndërsa nuk ka zhvilluar ndonjë test bërthamor apo raketash balistike që prej verës së kaluar, Peniani nuk ka rënë ende dakord të heqë dorë nga programi i armëve bërthamore.

Ndërkohë, pas dy vitesh njëanshmërie partiake, Trump përsëriti gjatë natës thirrjet për unitet politik, siç kishte bërë edhe në dy fjalimet e tjera të përvitshme të tij në Kongres.

“Së bashku, ne mund të thyejmë dekada të tëra grindjesh politike. Mund të lëmë mënjanë përçarjet e vjetra, të kurojmë plagët dhe të ndërtojmë ura të reja”, tha ai.

Megjithatë, demokratët kanë nisur një sërë hetimesh ndaj administratës së Trumpit, që kur morën drejtimin e Dhomës së Përfaqësuesve, muajin e kaluar. Prokurori special, Robert Mueller po heton ende mbi ndërhyrjen e supozuar ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, e me gjasë edhe bashkëpunimin e drejtuesve të fushatës së Trumpit me Rusinë, gjë që shefi i Shtëpisë së Bardhë dhe Moska e mohojnë./Top Channel