Presidenti amerikan Donald Trump pretendon se udhëheqja e re e Iranit i ka kërkuar Washingtonit armëpushim, duke theksuar se SHBA-ja do ta shqyrtojë kërkesën vetëm nëse Ngushtica e Hormuzit rihapet, transmeton Anadolu.
“Presidenti i regjimit të ri të Iranit, shumë më pak i radikalizuar dhe shumë më inteligjent se paraardhësit e tij, sapo i ka kërkuar SHBA-së armëpushim”, shkroi Trump në platformën e tij të mediave sociale Truth Social.
Trump tha se Washingtoni do ta shqyrtojë kërkesën vetëm kur “ngushtica të jetë e hapur, e lirë dhe e pastër”, duke paralajmëruar se ndërkohë do të vazhdojë ta godasë Iranin “deri në harresë ose siç thonë deri në epokën e gurit”.
Nuk pati konfirmim të menjëhershëm nga zyrtarët iranianë.
Trump e ka përshkruar vazhdimisht udhëheqjen e re të Iranit si “shumë më të arsyeshme” sesa paraardhësit e saj, duke theksuar për NBC News në fillim të kësaj jave se lufta po “po i afrohej fundit” dhe se SHBA-ja ka arritur “ndryshim total të regjimit”. Ai tha se Washingtoni ishte në kontakt me kryetarin e parlamentit iranian, Mohammad Bagher Qalibaf.
Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalojnë afërsisht 20 milionë fuçi nafte çdo ditë, është ndërprerë në mënyrë efektive që nga fillimi i muajit mars, duke rritur çmimet globale të naftës dhe duke rritur frikën e dëmeve të zgjatura ekonomike.
SHBA-ja dhe Izraeli e kanë goditur Iranin që nga 28 shkurti, duke vrarë më shumë se 1.340 njerëz, përfshirë ish-liderin suprem Ali Khamenei. Irani është hakmarrë me sulme në të gjithë rajonin, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë.





