Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara janë duke negociuar me Iranin “pikërisht tani”, pas një incidenti në Detin Arabik ku një avion luftarak amerikan rrëzoi një dron iranian që iu afrua aeroplanmbajtëses USS *Abraham Lincoln*.
“Po negociojnë. Ne po negociojmë me ta tani,” tha Trump të martën para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, pa dhënë detaje të tjera. Ai shtoi se Irani “nuk dëshiron që situata të përshkallëzohet sërish”, duke lënë të kuptohet se Teherani është i interesuar për bisedime.
Deklaratat e Trump erdhën në të njëjtën ditë kur i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, u takua në Jerusalem me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për bisedime lidhur me Iranin dhe zhvillimet rajonale.
Nga ana tjetër, presidenti iranian Masoud Pezeshkian tha se i ka kërkuar ministrit të Jashtëm të ndjekë “negociata të drejta dhe të barabarta”, nëse krijohet një mjedis i përshtatshëm pa kërcënime dhe kërkesa të paarsyeshme. Ai theksoi se çdo negociatë do të zhvillohet në përputhje me interesat kombëtare të Iranit.
Ministria e Jashtme e Iranit njoftoi se përgatitjet për bisedime me SHBA-në janë në zhvillim dhe se konsultimet po vazhdojnë për të përcaktuar vendin dhe kohën e takimit, të cilat pritet të bëhen publike së shpejti. Zyrtarët iranianë shtuan se disa vende të rajonit kanë ofruar të presin negociatat. /mesazhi







