Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Trump thotë se “i gjithë qytetërimi do të vdesë sonte” teksa afati...

Trump thotë se “i gjithë qytetërimi do të vdesë sonte” teksa afati i marrëveshjes me Iranin afrohet

“47 vjet shantazh, korrupsion dhe vdekje, do të përfundojnë më në fund”, tha presidenti amerikan Donald Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kërcënoi se “i gjithë qytetërimi do të vdesë sonte”, teksa afati i tij për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim me Iranin po shkon drejt fundit sonte, transmeton Anadolu.

“I gjithë qytetërimi do të vdesë sonte, dhe nuk do të rikthehet kurrë më. Nuk dua që kjo të ndodhë, por ndoshta do të ndodhë”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

“Megjithatë, tani që kemi Ndryshimin e Plotë dhe Total të Regjimit, ku përparojnë mendje të ndryshme, më të mençura dhe më pak të radikalizuara, ndoshta mund të ndodhë diçka revolucionare e mrekullueshme, KUSH E DI? Do ta zbulojmë sonte, një nga momentet më të rëndësishme në historinë e gjatë dhe komplekse të Botës. 47 vjet shantazh, korrupsion dhe vdekje, do të përfundojnë më në fund”, shtoi ai.

Më herët, Trump kërcënoi të bombardojë stacione energjie dhe ura në të gjithë Iranin nëse Teherani nuk do të rihapte Ngushticën e Hormuzit dhe të arrinte një marrëveshje deri të martën në orën 8 të mbrëmjes (sipas kohës lokale amerikane).

Përshkallëzimet rajonale kanë vazhduar që nga 28 shkurt, kur Izraeli dhe SHBA-ja nisën një ofensivë kundër Iranit, duke vrarë mbi 1.340 persona, përfshirë udhëheqësin e atëhershëm suprem, Ayatollah Ali Khamenei. Autoritetet iraniane nuk kanë përditësuar shifrat në ditët e fundit.

Teherani është hakmarrë me sulme dronësh dhe raketash duke goditur Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake të SHBA-së, duke shkaktuar viktima, dëme infrastrukturore, dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe aviacionin.

Irani pezullon trenat në linjat hekurudhore në Mashhad dhe Khuzestan pas kërcënimeve izraelite

Irani pezulloi sot shërbimet e trenave në linjat kryesore hekurudhore në provincat Mashhad dhe Khuzestan pas paralajmërimeve izraelite për sulme ndaj infrastrukturës, sipas mediave iraniane, transmeton Anadolu.

Agjencia e Lajmeve Mehr, duke cituar zyrtarë lokalë tha se të gjitha shërbimet e trenave në linjën hekurudhore të Mashhadit janë anuluar “deri në njoftim të mëtejshëm”.

Guvernatori i Mashhadit tha se vendimi u mor “bazuar në paralajmërimin joetik nga entiteti sionist (Izraeli)” dhe në interes të sigurisë publike. Në Iranin jugor, një zëvendësguvernator i Khuzestanit tha se operacionet e trenave në linjat hekurudhore jugore dhe Zagros janë pezulluar për të njëjtën arsye.

Ky veprim erdhi disa orë pasi ushtria izraelite paralajmëroi iranianët të mos udhëtojnë me tren dhe të shmangin stacionet e trenave në të gjithë vendin.

Media iraniane: Në sulmin amerikano-izraelit u dëmtua ura hekurudhore në Zanjan të Iranit

Një sulm amerikano-izraelit dëmtoi një urë hekurudhore në provincën veriperëndimore Zanjan të Iranit të martën, në sulmin e fundit ndaj infrastrukturës hekurudhore, raportuan mediat iraniane, transmeton Anadolu.

Agjencia Iraniane e Lajmeve të Punës (ILNA), duke cituar zëvendësguvernatorin për çështjet politike, të sigurisë dhe sociale në Zanjan, tha se ura hekurudhore në Amin Abad, e vendosur midis Zanjandhe Mianeh, ishte shënjestër e sulmit.

Zyrtari iranian tha se sulmi shkaktoi dëme në linjën hekurudhore në një pikë rreth 335 kilometra (208 milje) nga Teherani.

Nuk u raportuan menjëherë viktima.

Ndërpritet energjia elektrike në Ishullin Kharg të Iranit pas sulmeve të rënda amerikane

Energjia elektrike është ndërprerë në Ishullin Kharg të Iranit në Gjirin Persik sot pas një vale sulmesh amerikane që synuan më shumë se 50 objekte, sipas raportimeve të mediave amerikane dhe iraniane, transmeton Anadolu.

Mediat iraniane thanë se ndërprerja e energjisë erdhi pas sulmeve të rënda amerikane në ishull.

Gazeta The Wall Street Journal raportoi se avionë luftarakë amerikanë bombarduan më shumë se 50 objektiva ushtarake në ishullin iranian.

Agjencia iraniane e lajmeve Mehr kishte raportuar më herët se avionë luftarakë amerikanë dhe izraelitë kryen disa sulme ajrore në ishull, duke shkaktuar shpërthime të shumta.