Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka urdhëruar vendosjen e një bllokade detare në Ngushticën e Hormuzit, pas dështimit të bisedimeve me Iranin për çështjen e programit bërthamor.
Sipas deklaratave të Trump, Irani refuzoi të tërhiqej nga ambiciet e tij bërthamore gjatë negociatave të zhvilluara në Islamabad, Pakistan, ku palët nuk arritën marrëveshje as për kontrollin e ngushticës dhe as për të drejtën e pasurimit të uraniumit nga Teherani.
“Bllokada do të fillojë shumë shpejt. Edhe vende të tjera do të përfshihen. Irani nuk do të lejohet të përfitojë nga ky akt i paligjshëm shantazhi”, deklaroi Trump në rrjetet sociale.
Ai theksoi se, edhe pse bisedimet “shkuan mirë” dhe “shumica e pikave u dakorduan”, çështja e programit bërthamor mbeti pengesë kryesore.
Trump njoftoi se marina amerikane do të nisë menjëherë procesin e bllokimit të çdo anijeje që tenton të hyjë ose të dalë nga Ngushtica e Hormuzit, një rrugë kyçe për tregtinë globale të naftës.
Ai shtoi se forcat amerikane do të ndalojnë çdo anije në ujërat ndërkombëtare që ka paguar tarifë kalimi ndaj Iranit dhe paralajmëroi se çdo sulm ndaj anijeve amerikane apo tregtare do të marrë përgjigje të ashpër.
Gjithashtu, Trump bëri të ditur se forcat amerikane do të fillojnë operacionet për shkatërrimin e minave detare iraniane në këtë zonë strategjike. /mesazhi








