Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Trumpi i ofron ndihmë Putinit për arritjen e një marrëveshjeje me Ukrainën

Trumpi i ofron ndihmë Putinit për arritjen e një marrëveshjeje me Ukrainën

Presidenti amerikan Donald Trump ka ofruar ndihmë për presidentin rus Vladimir Putin në gjetjen e një marrëveshjeje për përfundimin e luftës në Ukrainë, sipas një deklarate të ndihmësit të Kremlinit, Yuri Ushakov.

Sipas Ushakovit, Trump e ka bërë këtë ofertë gjatë një bisede telefonike që zgjati rreth 90 minuta, e zhvilluar të shtunën, në Ditën e Pavarësisë së SHBA-së. Biseda u zhvillua në kuadër të pjesëmarrjes së Trump në samitin e NATO-s që do të mbahet javën e ardhshme në Turqi, shkruan Reuters.

Ushakov deklaroi se presidenti amerikan Donald Trump kishte konfirmuar edhe një herë gatishmërinë e tij për të punuar drejt përfundimit të shpejtë të luftimeve dhe për të gjetur zgjidhje për tejkalimin e krizës, duke e përshkruar bisedën me Vladimir Putin si profesionale dhe mjaft konstruktive.

Ai shtoi se Rusia kërkon një zgjidhje politike-diplomatike të konfliktit, duke marrë parasysh qasjet themelore të saj, dhe akuzoi Kievin dhe aleatët evropianë se synojnë zgjatjen dhe përshkallëzimin e konfliktit, si dhe sulmet ndaj civilëve, duke iu referuar sulmeve me rreze të gjatë të Ukrainës ndaj objektivave në Rusi.

Po ashtu, u bë e ditur se edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka konfirmuar se ka zhvilluar një bisedë me Donald Trump.