Türkiye ofron mbështetje me anije për evakuimin e civilëve nga deti në Ukrainë

Ministri i Mbrojtjes Kombëtare, Hulusi Akar tha se Türkiye mund të ofrojë mbështetje me anije për evakuimin e civilëve dhe të plagosurve nga deti në Mariupol të Ukrainës.

Akar iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me zhvillimet e fundit pas konfliktit në Ukrainë, ku ushtarët rusë nisën një sulm më 24 shkurt.

Duke rikujtuar se ai kishte biseduar shumë herë në telefon me ministrat e mbrojtjes së Ukrainës dhe Rusisë, Oleksii Reznikov dhe Sergey Shoygu që nga fillimi i ngjarjeve, dhe se u takua edhe me homologun e tij ukrainas në Stamboll, Akar theksoi rëndësinë e një deklarate të armëpushimit sa më shpejt të jetë e mundur për të parandaluar humbjet e mëtejshme të jetëve dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin.

Ai shprehu nevojën për arritjen e menjëhershme të armëpushimit dhe funksionimin e sigurt të korridoreve të evakuimit. “Si Türkiye, ne vazhdojmë të ofrojmë ndihmë humanitare për popullin e Ukrainës. Türkiye gjithashtu jep mbështetjen e saj për evakuimet. Mbështetja jonë për populli i Ukrainës do të vazhdojë”, tha ministri Akar.

I pyetur për evakuimet nga Mariupoli, ku janë të pranishëm edhe turqit, ministri Akar tha: “Ne mund të ofrojmë mbështetje me anije, veçanërisht për evakuimin e civilëve dhe shtetasve të lënduar turq dhe të tjerë nga Mariupoli. Në këtë kontekst, koordinimi ynë me Federatën Ruse dhe autoritetet e Ukrainës vazhdojnë.”

Kurse lidhur me situatën e dy avionëve të transportit A400M të Forcave të Armatosura Turke, të cilët mbetën në aeroportin Borispol të Ukrainës, ku u dërguan ndihma humanitare, ministri Akar tha: “Ne vazhdojmë kontaktet tona me Rusinë dhe Ukrainën përsa i përket sigurisë, evakuimit dhe mirëmbajtjes së avionëve tanë dhe ne planifikojmë t’i transferojmë sa më shpejt të jetë e mundur avionët tanë”.

Akar shtoi se ata mbajnë kontakte me Rusinë dhe Ukrainën në lidhje me evakuimin urgjent dhe të sigurt të anijeve turke që presin në portet e Ukrainës. /trt