Turqi, përmbytjet në rajonin e Detit të Zi shkaktuan vdekjen e 27 personave

Përmbytjet e kësaj jave në rajonin e Detit të Zi të Turqisë kanë marrë të paktën 27 jetë dhe një person është zhdukur, thanë autoritetet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmbytjet për shkak të shirave të dendur goditën rajonin verior të Detit të Zi të mërkurën, duke lënë 25 persona të vdekur në provincën Kastamonu, dy në Sinop dhe një të zhdukur në provincën Bartın, ka njoftuar Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Ekipet e shpëtimit dhe ndihmës janë vendosur në zonat e goditura nga përmbytjet dhe kërkimi për personin e zhdukur është duke vazhduar, sipas zyrtarëve.

Ndërsa evakuimet e disa zonave vazhdojnë, Gjysmëhëna e Kuqe Turke është gjithashtu në terren për të ndihmuar njerëzit e prekur nga përmbytjet.

Deri më tani 323 persona janë evakuuar në Bartın, 925 në Kastamonu dhe 472 në provincën Sinop.

Disa ura në këto qytete janë dëmtuar ose janë shembur për shkak të përmbytjeve dhe qindra fshatra kanë mbetur pa energji elektrike.

Ndërkohë, presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka folur me zyrtarët lokalë të zonave të goditura nga përmbytjet përmes telefonit dhe ka siguruar që Turqia po përdor të gjitha mjetet në dispozicion për të ndihmuar njerëzit të rimëkëmben pas përmbytjeve. /aa