Turqi, rritet në 44 numri i të vdekurve nga përmbytjet në rajonin e Detit të Zi

Numri i të vdekurve nga përmbytjet në rajonin e Detit të Zi të Turqisë është rritur në 44, thanë autoritetet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmbytjet e shkaktuara nga shirat e dendur goditën rajonin e Detit të Zi në veri të vendit të mërkurën, duke lënë 36 persona të vdekur në provincën e Kastamonu, tha në një deklaratë Autoriteti i Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).

Po ashtu, shtatë të tjerë vdiqën në provincën Sinop, ndërsa përpjekjet e kërkimit përfunduan për një grua të moshuar në provincën Bartın, e cila u gjet e vdekur rreth 600 metra larg shtëpisë së saj.

Deri më tani 341 persona janë evakuuar në Bartın, 1.480 në Kastamonu dhe 526 në provincën Sinop.

Operacionet e shpëtimit dhe ndihmës vazhdojnë në zonat e goditura nga përmbytjet, shtohet në deklaratë.

Dje, presidenti Recep Tayyip Erdoğan vizitoi rrethin Bozkurt në Kastamonu, zona më e goditur nga përmbytjet.

“Ne do të bëjmë çmos si shtet sa më shpejt që të jetë e mundur dhe shpresojmë se do të ngrihemi përsëri në këmbë” tha ai.

Presidenti shtoi se ai do të bëjë një vlerësim në vend së bashku me ministrin e Brendshëm Süleyman Soylu, ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës Adil Karaismailoğlu dhe ministrin e Mjedisit dhe Urbanizimit Murat Kurum. Hapat e nevojshëm do të merren pas vlerësimit, tha ai.

Më vonë gjatë ditës, Erdoğan njoftoi se vendet e prekura janë shpallur zonë fatkeqësie.

Këto vende do të mund t’i shtyjnë detyrimet tatimore dhe tregtarët vendas do të lejohen t’i shtyjnë pagesat në Institucionin e Sigurimeve Sociale të vendit. Asistenca do të ofrohet gjithashtu për të mbuluar humbjet e pronës, automjeteve dhe vendeve të punës.

Shlyerjet e huave të bizneseve gjithashtu do të shtyhen, kurse shteti do të përgatisë një plan mbështetjeje emergjente për zonat e goditura nga fatkeqësitë. /aa