Turqia dënoi të shtunën përshkallëzimin e terrorizmit të kolonëve dhe ndërtimin e vendbanimeve të paligjshme në Bregun Perëndimor, transmeton Anadolu.
“Ne dënojmë terrorizmin e kolonëve dhe aktivitetet e vendbanimeve kolone në Bregun Perëndimor, të cilat janë intensifikuar edhe më tej kohët e fundit, si dhe presionin e ushtruar nga forcat e sigurisë të Izraelit ndaj palestinezëve”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë.
Ministria theksoi se praktikat e aneksimit të Izraelit synojnë të dobësojnë gjasat për një zgjidhje me dy shtete, të cilën Turqia e konsideron çelës për paqe të qëndrueshme në rajon, dhe se terrorizmi i kolonëve po shënjestron të drejtat themelore të palestinezëve, “veçanërisht të drejtën për jetën”.
Ajo shtoi se ndalimi i menjëhershëm si i praktikave të aneksimit, ashtu edhe i terrorizmit të kolonëve, është “një kërkesë themelore si sipas të drejtës ndërkombëtare, ashtu edhe për stabilitetin e rajonit”.
Komuniteti ndërkombëtar dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara e konsiderojnë Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, territor palestinez të pushtuar dhe i shohin vendbanimet kolone izraelite atje si të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare.





