Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Turqia dhe Greqia: midis bashkëpunimit pragmatik dhe sfidave të vjetra

Turqia dhe Greqia: midis bashkëpunimit pragmatik dhe sfidave të vjetra

Një balancë e brishtë mes diplomacisë ekonomike dhe mosmarrëveshjeve historike territoriale

Samiti i 6-të i Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë në Ankara shënoi një hap të rëndësishëm drejt institucionalizimit të marrëdhënieve midis Turqisë dhe Greqisë. Takimi midis Presidentit Rexhep Tajip Erdogan dhe Kryeministrit Kyriakos Mitsotakis u konkretizua me nënshkrimin e një sërë marrëveshjesh që synojnë krijimin e një rrjeti ndërvarësie ekonomike dhe teknike, duke u fokusuar tek ajo që diplomatët e quajnë “axhenda pozitive”.

Marrëveshjet e firmosura, mbulojnë një spektër të gjerë, duke nisur nga ekonomia deri te mbrojtja civile. Një memorandum mirëkuptimi midis zyrave të investimeve të të dy vendeve synon të nxisë flukset kapitale, ndërsa riaktivizimi i shërbimeve të trageteve Ro-Ro midis Izmirit dhe Selanikut pritet të lehtësojë tregtinë dhe transportin detar.

Në fushën e teknologjisë dhe shkencës, ministritë përkatëse u zotuan për bashkëpunim më të ngushtë, ndërsa menaxhimi i fatkeqësive natyrore, veçanërisht gatishmëria ndaj tërmeteve, u konfirmua si një urë bashkëpunimi jetike.

Ky vullnet politik u reflektua edhe në synimin ambicioz për të rritur vëllimin e tregtisë dypalëshe në 10 miliardë dollarë, duke dëshmuar se të dyja palët po kërkojnë pika takimi aty ku përfitimi është i ndërsjellë. Megjithatë, përtej ceremonive zyrtare dhe buzëqeshjeve para kamerave, sfidat strukturore mbeten të rrënjosura thellë dhe vazhdojnë të peshojnë mbi marrëdhënien dypalëshe.

Mosmarrëveshjet kryesore lidhen me sovranitetin në Detin Egje dhe Mesdheun Lindor. Ndërsa Athina këmbëngul se e vetmja çështje për diskutim është përcaktimi i zonave detare (Platforma Kontinentale dhe Zona Ekonomike Ekskluzive) bazuar në Ligjin e Detit, Ankaraja kërkon një zgjidhje gjithëpërfshirës që përfshin edhe hapësirën ajrore dhe çmilitarizimin e ishujve.

Një tjetër pikë fërkimi mbetet interpretimi i traktateve ndërkombëtare lidhur me minoritetet. Deklaratat e Erdoganit mbi minoritetin turk në Trakën Perëndimore bien ndesh me qëndrimin institucional grek, i cili njeh vetëm një “minoritet mysliman” sipas Traktatit të Lozanës.

Kjo përplasje identitare dhe ligjore, tregon se besimi i ndërsjellë është ende i brishtë. Kohët e fundit marrëdhënia greko-turke ka kaluar nga një logjikë krize në një logjikë menaxhimi të kujdesshëm. Edhe pse marrëveshjet teknike krijojnë një mjedis stabiliteti, ato nuk e zgjidhin nyjën gordiane të pretendimeve territoriale.

Sfida e vërtetë për të ardhmen, mbetet nëse ky stabilitet mund të shndërrohet në një zgjidhje ligjore të qëndrueshme, apo nëse do të mbetet thjesht një armëpushim diplomatik në pritje të krizës së radhës. /tesheshi