Turqia do të vazhdojë tregtinë e energjisë me Iranin

Ministri i Energjisë dhe Burimeve Natyrore të Turqisë, Fatih Dönmez, ka deklaruar se tregtia e energjisë me Iranin është një tregti legjitime, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministri Dönmez theksoi për televizionin A Haber se siguria e energjisë është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme. Ai shtoi se me Iranin kanë një marrëdhënie tregtare të bazuar në importin e naftës dhe gazit natyror e cila i ka bazat shumë vite më parë.

Duke vënë në dukje se importet e gazit natyror bëhen në bazë të një kontrate afatgjatë ciklike, Dönmez tha se “Kohëzgjatja e kësaj kontrate është deri në vitin 2026 dhe kjo do të vazhdojë. Ne nga atje arrijmë të marrim rreth 9.5 miliardë metra kub gaz natyror çdo vit. Ne do të vazhdojmë këtë biznes në bazë të dispozitave të tij për arsyen se ne nuk mund të lëmë qytetarët tanë në të ftohtë ose në errësirë pa energji elektrike”.

Pasi ka tërhequr vëmendjen se embargoja kundrejt Iranit është një zbatueshmëri e njëanshme e SHBA-ve, Dönmez theksoi “Në të vërtetë, edhe Bashkimi Evropian është mjaft i shqetësuar. Ne po bëjmë një tregti të ligjshme. Kjo është gjithashtu shumë e rëndësishme në aspektin e sigurisë së furnizimit. Ne gjithashtu kemi një marrëdhënie fqinjësie, që prej vitesh kryejmë tregti. Unë besoj se kjo duhet të vlerësohet në këtë aspekt”.

Dönmez duke rikujtuar se aktualisht një delegacion turk ndodhet në SHBA, ai u shpreh se po negociohen një sërë çështjesh duke përfshirë edhe sanksionet. Ai tha se shpreson se nga dialogu në fjalë do të dalë një rezultat pozitiv”.

Ai tha se që prej 5 vitesh anija sizmike e Turqisë po kryen punime në Mesdhe ku dhe për këtë qëllim është siguruar një anije shpimi. Ministri Dönmez theksoi më tej se “Anija jonë aktualisht ndodhet në Mesdhe dhe brenda 1-2 muajve do të fillojë shpimet ku dhe në lidhje me këtë ne kemi shpresë për gjetjen e rezervave të hidrokarbonit. Shumë nga vendet fqinje me Mesdheun Lindor kanë gjetur burime të gazit natyror. Po ashtu edhe të dhënat tona janë goxha të mira dhe pozitive. Çpimet e para do të kryhen brenda zonës ekonomike turke në ujërat pranë Antalias, ndërsa tjetra në ujërat në Mersin.”