“Turqia fuqishëm mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të BeH-së”

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke Tanju Bilgiç tha se Turqia është e vendosur të mbështesë fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës (BeH), transmeton Anadolu Agency (AA).

Bilgiç iu përgjigj pyetjes në lidhje me vendimet e Asamblesë Kombëtare të Republika Sërpskas (NARS), një nga dy entitetet në Bosnjë dhe Hercegovinë, të miratuara më 10 dhjetor 2021.

“Turqia ka qenë gjithmonë në ballë të përpjekjeve për të ruajtur paqen dhe përhapjen e prosperitetit në Ballkan, dhe veçanërisht në Bosnjë dhe Hercegovinë”, thuhet në përgjigjen me shkrim.

Më tej theksohet se, si të gjithë miqtë e BeH-së, edhe ata ndajnë shqetësimet rreth vendimeve të marra në seancën e posaçme të Asamblesë Kombëtare të Republika Sërpskas.

“Konsiderojmë se vendimet e mësipërme të Asamblesë së entitetit janë të dëmshme për kornizën kushtetuese dhe ligjore, dhe rrjedhimisht për të ardhmen paqësore dhe prosperuese të qytetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës, të cilën e meritojnë më shumë se çdo gjë. Në të njëjtën kohë, kjo situatë paraqet një sfidë për paqen dhe stabilitetin në Ballkan dhe në mbarë Evropën”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu theksohet se së bashku me bashkësinë ndërkombëtare do të vazhdojnë përpjekjet për ta kthyer Bosnjë dhe Hercegovinën në agjendën e saj reale sa më parë, në rrugën e zhvillimit ekonomik.

“Në këtë aspekt, ne u bëjmë thirrje atyre që do të jenë përgjegjës për rrezikimin e paqes dhe prosperitetit që t’i përmbahen kornizës kushtetuese dhe ligjore dhe t’i afrohen dialogut në vend të veprimeve të njëanshme. Turqia është e vendosur të mbështesë fuqimisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjë e Hercegovinës”, përfundon deklarata. /aa