Turqia i dërgon letër falënderimi kryeministrit pakistanez Imran Khan

Grupi ndërparlamentar i miqësisë së Turqisë dhe Pakistanit të Kuvendit të Madh Popullor të Turqisë (TBMM) i ka dërguar një letër falënderimi kryeministrit pakistanez Imran Khan, me rastin e vendimit të këtij vendi që Fondacioni turk Maarif të marrë menaxhimin e institucioneve të lidhura me FETO-n, si dhe për shpalljen e FETO-s organizatë terroriste në Pakistan.

Kryetari i grupit ndërparlamentar të miqësisë Ali Şahin, në prononcimin për Anadolu Agency (AA), rikujtoi se FETO më 15 korrik të vitit 2016 kreu sulmin tradhtar ndaj Turqisë dhe se ndërtesa e TBMM-së atë ditë i ishte nënshtruar bombardimit.

Şahin tha se duan të falënderojnë Pakistanin për mbështejen që i jep Turqisë në luftën kundër organizatës terroriste FETO, dhe se Pakistani çdo herë ka qenë mik i madh i Turqisë në kohëra të vështira dhe se kështu ishte edhe gjatë luftës turke për pavarësi.

“Vëllezërit tanë nga Pakistani na ofruan mbështetje në luftën kundër FETO-s dhe qëndruan pranë nesh. Pakistani gjashtë muaj më parë mbajti zgjedhjet, në të cilat fitoi partia e kryeministrit Khan. Menjëherë pas zgjedhjeve, Khan i dha mbështetje të plotë Turqisë në luftën kundër FETO-s duke bërë hapa konkrete në këtë drejtim në vend. Të gjitha institucionet arsimore të lidhura me FETO-n atje kaluan në menaxhimin e Maarif-it. Përveç kësaj, Pakistani FETO-n e shpalli organizatë terroriste. Në këtë drejtim, ne dëshëm të falënderojmë Pakistanin. Shpresojmë se kjo do të shërbej si shembull dhe udhërrëfyes për vendet tjera”, ka thënë Şahin.

Fondacioni turk Maarif mori në fillim të këtij viti tre objekte shkollore në qytetin port Karaçi të Pakistanit, të cilat ishin të lidhura me organizatën terroriste FETO. Anëtari i Bordit Drejtues të Fondacionit Maarif dhe zyrtari i qeverisë të provincës jugore të Pakistanit Sindh, Mahmoud Ozdil ka nënshkruar një dokument me të cilin Maarif edhe zyrtarisht mori shkollën.

Kohët e fundit, Fondacioni Maarif në të njëjtën mënyrë mori shkollat në Islamabad dhe Lahore që ishin të lidhura me FETO-n.

Gjykata e Lartë e Pakistanit vitin e kaluar urdhëroi qeverinë që FETO-n të shpallë organizatë terroriste dhe t’ua ndalojë të gjitha aktivitetet në vend.

Turqia themeloi Fondacionin Maarif në vitin 2016 me qëllim të marrjes së institucioneve arsimore që menaxhoheshin nga organizata terroriste FETO në mbarë botën.

Organizata terroriste FETO, e udhëhequr nga Fethullah Gülen, me bazë në SHBA, ekstradimin e të cilit zyrtarisht e ka kërkuar Turqia, është përgjegjëse për përpjekjen e përgjakshme të grusht shtetit të dështuar në Turqi, në mbrëmjen e 15 korrikut.

Anëtarët e kësaj organizate terroriste për vite janë avancuar në detyrë dhe kështu kanë depërtuar deri në institucionet shtetërore. Më pas, në dhjetor të vitit 2013, anëtarët e FETO-s në gjyqësorin e Turqisë u përpoqën të ndjekin penalisht një numër të zyrtarëve të lartë përmes një procesi të montuar për korrupsion.

Disa vjet më vonë, pasoi përpjekja e përgjakshme e terroristëve të FETO-s, kur më 15 korrik oficerët e ushtrisë turke besnike ndaj kësaj organizate terroriste nisën grusht shtetin.

Hetimet kundër organizatës terroriste FETO kanë treguar se ky është një rrjet global i cili nuk përbën kërcënim vetëm për Turqinë, por për çdo vend tjetër në të cilin janë aktiv, gjë për të cilën në shumë raste kanë paralajmëruar zyrtarët turq.

Gjatë tentativës së dështuar për grusht shteti në Turqi u martirizuan 251 persona dhe më shumë se 2.200 të tjerë u plagosën.