Turqia: Kompanite nuk duhet të shqetësohen për paralajmërimin e sanksioneve të SHBA-së

Nureddin Nebati

Zyrtarët turq kanë nënvlerësuar një paralajmërim të SHBA-së se kompanitë turke rrezikojnë të sanksionohen për bashkëpunim me bizneset ruse që janë subjekt i sanksioneve të SHBA-së.

“Shoqata turke e biznesit “TÜSİAD” konfirmoi në fillim të kësaj jave se kishte marrë një letër nga Departamenti Amerikan i Thesarit që paralajmëronte se kompanitë turke rrezikojnë të sanksionohen për bashkëpunim me bizneset ruse që janë subjekt i sanksioneve të SHBA-së të vendosura pas pushtimit në Ukrainë”, raportoi media lokale.

“Është e pakuptimtë që bizneset turke të shqetësohen për letrën nga Uashingtoni”, tha në një postim në Twitter ministri turk i Financave, Nureddin Nebati.

“Ankaraja është e vendosur të zhvillojë tregtinë me fqinjët tanë në sektorë të ndryshëm… brenda një kuadri që nuk i nënshtrohet sanksioneve,” tha ai.

“Bota jonë e biznesit duhet të ndiejë gjithmonë fuqinë e shtetit në krah ”, shtoi ai.

Turqia, një anëtare e NATO-s, është pozicionuar si ndërmjetëse midis Ukrainës dhe Rusisë që kur Moska pushtoi fqinjin e saj në shkurt.

Ndërsa Ankaraja e ka kritikuar Moskën, ajo ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve perëndimore, duke përmendur varësinë nga turizmi rus dhe lidhjet tregtare dhe energjitike.

“Për më tepër, Turqia do t’i paguajë Rusisë një pjesë të faturave të gazit natyror në rubla duke përmirësuar më tej lidhjet ekonomike”, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan në fillim të këtij muaji pas takimit me homologun e tij rus, Vladimir Putin, në Soçi të Rusisë. /atsh