Turqia neutralizon 20 terroristë të PKK-së në veri të Sirisë

Forcat turke të sigurisë kanë neutralizuar 20 terroristë të YPG/PKK-së në veri të Sirisë, bëri të ditur sot Ministria e Mbrojtjes së Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim, ministria tha se terroristët përpiqeshin të infiltrohen në zonën e operacionit “Burimi i Paqes”.

Autoritetet turke përdorin fjalën “të neutralizuar” për të nënkuptuar se terroristët në fjalë janë dorëzuar, vrarë ose kapur.

Që nga viti 2016, Turqia ka nisur tre operacione të suksesshme antiterroriste në veri të Sirisë për të parandaluar formimin e një korridori terrorist dhe për të mundësuar vendosjen paqësore të banorëve: Mburoja e Eufratit (2016), Dega e Ullirit (2018) dhe Burimi i Paqes ( 2019).

Në fushatën e saj më shumë se 30-vjeçare terroriste kundër Turqisë, PKK, e renditur si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnja. YPG është degë siriane e PKK-së.